Vaksina ruse shkakton përplasje politike në Çeki

10/03/2021 19:58

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, bëri thirrje për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Jan Blatny, për shkak se nuk nxiton për ta lejuar përdorimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit në Çeki.

Blatny ka thënë më herët se vaksina Sputnik V duhet të përdoret pasi Bashkimi Evropian ta regjistrojë atë.

Në një intervistë të publikuar të mërkurën, Zeman tha se autoritetet çeke duhet të ecin përpara me vaksinimin e popullatës me Sputnik V.

Ai tha se vaksinat ruse dhe kineze duhet të lejohen të përdoren menjëherë në Çeki – vendin që aktualisht ka normën më të lartë të infektimit në Bashkimin Evropian.

“Dy pengesat më të mëdha për këtë janë ministri i Shëndetësisë, Blatny, dhe gjithashtu drejtorja e Institutit Shtetëror për Kontrollin e Farmaceutikës [Irena Storova]”, tha Zeman për gazetën çeke Parlamentni Listy.

Deri vonë, Zeman, i cili vetë është vaksinuar me vaksinën Pfizer/BioNTech në muajin janar, ka thënë se Çekia duhet të presë miratimin e BE-së për vaksinat kineze dhe ruse.

Në intervistën e fundit, ai nuk dha ndonjë arsye për ndryshimin e pikëpamjeve të tij, por kujtoi se autoritetet lokale në Hungari e kanë miratuar vaksinën Sputnik V, ndërsa Sllovakia tashmë i ka marrë dozat e para të saj.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka filluar shqyrtimin e vaksinës Sputink V, me qëllim miratimin e saj të mundshëm.

Në BE deri më tash janë miratuar tri vaksina: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca.

Çekia, vend me 10.6 milionë banorë, ka regjistruar mbi 1.35 milion raste me koronavirus dhe mbi 22,000 viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA