Shqiptarët, më pak besim tek BE/ Zvarritja e procesit të integrimit ka ulur entuziazmin

10/03/2021 15:05

Besimi i Shqiptarëve tek Bashkimi Europian ka pësuar rënie të ndjeshme gjatë vitit 2019. Rezultati doli nga një anketim i Bankës Qendrore të Austrisë me qytetarët në rajonin e Europës Juglindore.

Ecejaket për fillimin e negociatave dhe zgjatja tej pritshmërive e procesit të integrimit në BE, duket se e kanë ndikuar negativisht besimin e shqiptarëve te Bashkimi Europian.

Qytetarët: Nuk kemi për t’u anëtarësuar. Nuk kemi besim. Në 2050 do anëtarësohemi. Megjithatë unë do të vazhdoj të shpresoj, për të mirën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Unë kam 2 vjet që sorollatem për dokumentat e shtëpisë. Ma kanë vlerësuar sa një biftek e gjysmë që hanë pushtetarët tanë. Ne nuk kemi shtet.

Këtu nuk ka vend për optimizëm. Partitë dhe pushtetarët thjesht ndërrojnë vendet, por për popullin dhe të ardhmen nuk mendojnë.

Në vitin 2019 vetëm 51 për qind e shqiptarëve të anketuar kishin besim tek BE në raport me 64 % që ishin në vitin 2018. Pra brenda 1 viti besimi ra më 13 përqind. Besimi tek BE ka pësuar luhatje vitet e fundit, prej një kulmi prej 77 për qind, që kishte arritur në vitin 2011, menjëherë pas heqjes së vizave.

Në katër vendet jo anëtare, Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Shqipëri ku është zhvilluar anketimi, besimi në Bashkimin Europian ka shënuar rënie të ndjeshme më 2019. Në të kundërt qytetaret në vendet anëtare të BE-sw, të tilla si Bullgaria, Çekia, Hungaria dhe Polonia kanë rritur besimin tek BE më 2019.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA