Greqia shpreson të rihapë dyert për vizitorët më 14 maj, tha ministri i turizmit në vend ndërsa njoftoi datën e shumëpritur për fillimin zyrtar të sezonit turistik.
Haris Theoharis tha në panairin e turizmit në Berlin, më i madhi në botë, se Greqia do të mirëpresë pas kësaj date të gjithë ata që janë vaksinuar, kanë antitrupa ose kanë rezultuar negativë për koronavirus.
“Ne shpresojmë të hapim turizmin më 14 maj, me rregulla specifike dhe me protokolle të update-uara”, tha ai. “Deri atëherë, ne gradualisht do të heqim kufizimet, nëse kushtet do ta lejojnë”.
Athina është në garë me kohën për të rikthyer në jetë një sektor që konsiderohet jetësor për ekonominë e vendit dhe ka udhëhequr thirrjet për një certifikatë evropiane të vaksinimit që do të zhbllokonte udhëtimet për pushime. Pavarësisht hezitimit fillestar, Brukseli ka filluar ti qaset idesë dhe të martën, zëvendëspresidenti i komisionit, Margaritis Schinas, tha se besonte se pasaporta digjitale mund të ishte e gatshme deri në verë.
“Unë mendoj se ka një pajtim pas samitit të fundit për nevojën e kësaj certifikate digjitale. Ajo do të jetë një produkt evropian dhe do të jetë i njëjtë në të gjithë Evropën”, tha Schinas.
Por, Ursula von der Leyen, presidente e komisionit, ka paralajmëruar po ashtu edhe për rreziqet që kjo certifikatë paraqet, ligjërisht dhe teknikisht. Një në pesë grekë punon në turizëm. Me turistët në vend të reduktuar në mënyrë drastike për shkak të pandemisë, vitin e kaluar, qeveria greke ka thënë se synon që këtë vit të tërheqë të paktën 50 për qind të 31.3 milionë turistëve që vizituan vendin para virusit.
Top Channel