Plani i Kinës dhe Rusisë/ Bashkë për një stacion hapësinor në Hënë

10/03/2021 14:33

Kina dhe Rusia kanë bërë të ditura planet për të ndërtuar stacion hapësinor hënor.

Agjencia ruse e Hapësirës Roskosmos ka thënë se ka nënshkruar marrëveshje me Administratën Kombëtare të Hapësirës në Kinë, për të zhvilluar kërkime në sipërfaqen e Hënës, në orbitë apo në të dyja. Në deklaratën e këtyre dy vendeve është thënë se ky stacion do të jetë i aksesueshëm për përdorim edhe nga kombet tjera. Lajmi vjen teksa Rusia përgatitet për të shënuar 60-vjetorin e fluturimit të një njeriu në Hapësirë. Stacioni Ndërkombëtar Shkencor në Hënë do të kryejë një mori kërkimesh shkencore, duke përfshirë analizimin e Hënës, është thënë në deklaratë.

“Kina dhe Rusia do të shfrytëzojnë përvojat e mbledhura në shkencën për Hapësirën, kërkimet dhe përdorimin e pajisjeve dhe teknologjisë hapësinore për të zhvilluar një hartë për ndërtim të stacionit ndërkombëtar hënor”, është thënë në deklaratë. Aty është përmendur edhe se Rusia dhe Kina do të bashkëpunojnë në planifikim, dizajn, zhvillim dhe funksionalizim të stacionit për kërkime.

Rusia, e cila njihet për kërkimet në Hapësirë ka humbur vitin e kaluar monopolin e dërgimit të astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, pas lançimit të suksesshëm të anijes kozmike të kompanisë SpaceX nga toka amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditura planet se synojnë të kthehen në Hënë më 2024. Programi amerikan, i quajtur Artemis, synon të dërgojë një burrë dhe një grua në sipërfaqen e Hënës, çka më pas do të shënonte herën e parë të dërgimit të njerëzve në Hënë prej vitit 1972.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA