PD i ka bërë thirrje KQZ që të mos e regjistrojnë Tom Doshin në zgjedhjet e 25 prillit.
Për këtë i është referuar mesazhit të Departamentit Amerikan të Shtatit që i ndalonte hyrjen në SHBA Tom Doshit, kryetarit të Partisë Social Demokrate. Në deklaratë, PD thekson se Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje.
Pak para përfundimit të afatit, Partia SocialDemokrate me kryetar Tom Doshin dorëzoi listat në KQZ për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit. Edhe pse u fol shumë rreth kandidimit të tij, Tom Doshi kandidon në krye të listës në qarkun e Tiranës dhe Shkodrës.
Njoftimi i plotë:
Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos e rregjistrojë Tom Doshin në zgjedhjet e 25 Prillit.
Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.
PD i bën thirrje KQZ të zbatojë ligjin dhe të marrë këtë vendim, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.
Top Channel