Një marrëveshje për infrastrukturën e vaksinimit dhe rritjen e mëtejshme të dozave të vaksinës anticoivd, pritet të nënshkruhet mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca, u shprehën se po punohet për finalizimin e marrëveshjes, gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjes së re të skanerit të avancuar, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pjesë e paketës mbështetëse të Bashkimit Europian.
“Sfida e radhës e të gjithëve ne është vaksina. Dhe unë jam shpresëplotë që marrëveshja me Bashkimin Europian do të finalizohet shumë shpejt. Ne presim javën që vjen, rreth 9 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer. Qeveria shqiptare aktualisht ka parapaguar dozat për 800 mijë qytetarë, qoftë nëpërmjet instrumentit Covax, qoftë nëpërmjet kontratës direkte me Pfizer-in”, u shpreh Manastirliu.
Gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e QSUT-së, ministrja vlerësoi mbështetjen e vendeve të Bashkimit Europian në këtë vit të pandemisë.
“Kemi nxjerrë shumë mësime këtë vit dhe një prej mësimeve të mësuara është se solidariteti ishte arma e fuqishme, në momente shumë të vështira të kësaj pandemie. Investimet e bëra nga qeveria shqiptare dhe pajisjet e ardhura nga Bashkimi Europian e kanë fuqizuar sistemin tonë shëndetësor, kanë fuqizuar spitalet tona, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë dhe kjo ka qenë një pikë e fortë në menaxhimin e suksesshëm të pandemisë”.
Ambasadori Luigi Soreca ka vlerësuar bluzat e bardha në Shqipëri, duke u shprehur se edhe vetë ka zgjedhur të trajtohet nga mjekët këtu.
“Kjo ishte një mbështetje e dhënë për ju, për doktorët, infermieret e Shqipërisë, që kanë qenë në këtë situatë përgjatë një viti pandemie. Dua t’ju them faleminderit në emër të Bashkimit Europian por edhe personalisht, sepse unë kam kaluar vetë Covid19”, tha ambasadori Soreca.
“Bashkimi Europian ka ndihmuar për pajisje mjekësore si monitorë, respiratorë, autoambulanca, grafi, etj dhe kjo është mbështetja e tetë në këtë vit pandemie e BE për spitalet Covid si dhe spitalet rajonale në vend“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Top Channel