Dhunë në rrugët e Athinës/ Marshimi i mijëra grekëve përfundoi në përplasje me policinë

10/03/2021 01:15

Incidente të dhunshme kanë shpërthyer në Athinë pas një marshimi masiv prej mijëra qytetarësh që protestuan kundër dhunës policore të ushtruar ditën e dielë ndaj qytetarëve të thjeshtë në lagjen Nea Smirni në Athinë.

Pas orës shtatë të mbrëmjes dhe ndërsa mbi 10000 vetë kanë vërshuar në rrugët e kësaj lagjeje duke arritur para rajonit policor të saj tensioni filloi të rritej.

Grupe të rinjsh kanë hedhur bomba molotof, gurë dhe sende të tjera ndaj ndërtesës, ndërsa kanë mbërritur përforcime të pjestarëve të ndërhyrjes së shpejtë policore, shumë prej tyre me motoçikleta që kanë filluar të shpërndajnë turmën e egërsuar. Ndërsa një prej policëve me motoçikletë është rrëzuar nga protestuesit që e kanë qëlluar në kokë e në trup duke e plagosur, ndërsa vetëm pas 20 minutash është krijuar mundësia për ta marrë ambulancën dhe për ta çuar në spital.

Ndërkohë burime policore bëjnë fjalë për 4 policë të plagosur në konfrontimet e dhunshme ku policia është përgjigjur ashpër duke përdorur bombat me gaz lotsjellës si dhe makinën e ujit me presion. Me pas forcat policore kanë ndjekur në rrugët e lagjes në fjalë grupe demonstruesish, ndërsa nga ballkonet banorët ju bërtisnin për përdorimin e gazit lotsjellës dhe lëndëve kimike që krijuan një atmosferë mbytëse.

Ndërsa kryeministri Mitsotakis ka deklaruar se nuk do të lejojë që Greqia të përçahet edhe partitë e opozitës janë distancuar nga këto akte violente, që bënë të degjenerojë në përleshje, një marshim paqësor ndaj dhunës policore. Ka dy ditë që gjithë Greqia është tronditur nga një incident që ndodhi të dielën në mesditë në lagjen Nea Smirni të Athinës kur një grup i madh policësh, përdorën dhunë të pajustifikuar ndaj një të riu që protestoi për vendosjen e padrejtë të gjobave që ju vendosen një familje që kishte dalë në sheshin e lagjes me tre fëmijët e saj. Videot e dhunës policore bënë xhiron e mediave sociale dhe shkaktuan reagime të mëdha në opinionin publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA