Një përplasje diplomatike ka shpërthyer pasi zyrtari më i lartë i BE pretendoi se Britania e Madhe ka imponuar një ndalim të padrejtë të eksportit të vaksinave anticovid.
Presidenti i këshillit evropian, Charles Michel tha se kjo ndalesë aplikohej për të gjitha vaksinat dhe përbërësit e tjerë që prodhohen në Britaninë e Madhe. Por, sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, e cilësoi sugjerimin e tij tërësisht të paqëdrueshëm. “Qeveria e Britanisë së Madhe nuk ka bllokuar eksportin e asnjë doze të vetme vaksine anticovid apo përbërësi tjetër të vaksinës”, tha ai. Një zyrtar i BE madje është thirrur në “Foreign Office” për diskutime të mëtejshme të çështjes. Argumenti vjen ndërkohë që liderët evropianë janë nën presion në lidhje shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave anticovid. Në Britaninë e Madhe ndërkohë, 22.5 milionë njerëz, ose një e treta e popullatës së rritur, kanë marrë ndërkohë dozën e tyre të parë.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel hodhi poshtë të martën akuzat për “nacionalizëm të vaksinave” të ngritura kundër BE-së, duke thënë se ndërsa Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë aplikuar ndalime të drejtpërdrejta të eksportit të vaksinave, Bashkimi Evropian nuk e ka bërë një gjë të tillë. BE e ka gjetur veten nën kritika për ritmet shumë më të ngadalta të shpërndarjes së vaksinave se sa në Britani ose në Shtetet e Bashkuara. Ajo është kritikuar gjithashtu se ka bërë më pak se Kina, Rusia ose India për të furnizuar vendet e varfra me vaksina.
Top Channel