Një zjarr që përfshiu tre banesa në Berat, dy ditë më parë u mori jetën dy qytetarëve.
Gazetarja, Eneida Petrova thotë se shtëpitë muzeale të Beratit kanë karaktëristikë dyshemenë e drurit dhe në përgjithësi përdorimin e dërrasës, ndërkohë që instalimet elektrike janë amortizuar dhe ka familje që nuk kanë ndërhyrë në rrjetin elektrik të shtëpive të tyre. “Viktimat kishin rënë në bodrum, pasi ishin djegur dërrasat dhe punonjësve të zjarrfikses u desh shumë orë të gjenin trupat”.
Vëllai i viktimës tregon për momentin kur erdhi në vendngjarje. “Shtëpia ishte komplet në flakë. Trupat u gjetën pranë njëri-tjetrin. Vëllai ishte i paralizuar dhe nipi do jetë afruar ta ndihmojë. Para se të ikja e përqafoja vëllain, sikur ta ndjeja, ndërsa nipi pinte alkool dhe më tha nuk dua të më vish më, më ka ngelur peng…”
Gazetarja thotë se Mateo Vangjeli kishte konsumuar alkool dhe patrulla e policisë atë mbrëmje e ka këshilluar të shkojë në shtëpi. “Kur ka ardhur në shtëpi është zënë me babin, banorët kanë dëgjuar të bërtiturat dhe pak më vonë kanë parë flakët, por besohet se zjarri ka qenë aksidental, megjithatë pritet ekspertiza”.
Punonjësi i zjarrfikëses tregon për “Shqipëria live” se “kemi punuar pa ndërprerje nga ora 00:04 deri në 06:45, ishte rast shumë i rëndë dhe shpëtimi i viktimave ishte i pamundur”.
Top Channel