Nga qershori deri në tetor të vitit 2007, Në Gërdec janë demontuar rreth 100 milionë fishekë të kalibrit deri 14.5 mm. Gjatë kësaj periudhe, ka rënë disa herë zjarr brenda punishtes, por organet ligjzbatuese nuk guxonin ta preknin atë biznes.
“Me sa di unë ska pasur materiale të ardhura nga institucionet apo qytetarë që mund të kallëzonin që të përfshihej prokuroria për atë objekt kur filloi punën, ndërkohë është e pafalshme për shërbimet e tjera si shërbimi sekret dhe policia që kanë pasur informacion absolutisht se terreni është i mbuluar me informacion” u shpreh Shkëlqim Hajdari, Ish-kryeprokuror i Apelit Tiranë.
Në 28 Dhjetor të vitit 2007, kompania amerikane firmos kontratën e dytë për demontimin e municioneve deri në 152 mm. Ky është momenti ku u firmos fati i zi i Gërdecit. Ministria e Mbrojtjes e konsideroi të specializuar një kompani që demontonte me mjete rrethanore. I besoi çmontimin e municioneve të artilerisë së rëndë.
“Demontimi i predhave të kalibrave të mëdhenj nuk është bërë me VKM por me vendim nga ministri Mediu, në mënyrë të jashtëligjshme, është kapur gjithë praktika nga hetimi” u shpreh Ferdinand Dervishi, Gazetar.
“Unë kam mendimin që prokuroria si organ i hetimit ka bërë ç’është e mundur të punohej me prova për Gërdecin dhe sigurisht politika që në njëfarë mënyrë direkt ishte e përfshirë në Gërdec ka bërë punën që ndoshta çështja të konsiderohet me të drejtë nga një pjesë e madhe e publikut e pazbardhur ” u shpreh Shkëlqim Hajdari, Ish-kryeprokuror i Apelit Tiranë.
“Pata mundësinë të takoj disa njerëz te MEICO, folëm nuk treguan shumë por në ikje dikush më fut një dokument në xhep ku thuhej qartazi: Në historinë e pjesës dytë, gëzhojat e mëdha ishte llogaritur të fitohej nga njerëzit e Delijorgjit dhe njerëzit që ishin pas 32 mln dollar, 32 mln dollar..shtetit i shkonin diçka më pak se 30 mijë dollar”, u shpreh Ferdinand Dervishi, Gazetar.
Ata që qëndronin prapa këtij biznesi kuptuan që mund të fitonin shumë para nga shitja e barutit. Një prej ditëve të zakonshme u fut në punë një karrocë e sapo-salduar. Kontakti me barutin shkaktoi zjarr të menjëhershëm. Predhat ishin gjithandej. Atë ditë, në punishte ishin në gjendje, mbi 6 mijë ton municione. Kështu nisi zinxhiri i shpërthimeve.
Predhat fluturuan me kilometra përreth kraterit.
26 persona, burra, gra e fëmijë humbën jetën. Mbi 300 u plagosën. Rreth 6000 banesa u rrënuan. Rrezja goditëse u shtri përtej Vorës.
Emisioni i plotë:
Top Channel