Shërbimi Neurovaskular në QSUT merr emrin e dr. Drini Dobit, Manastirliu: Emri i tij do të kujtohet nga të gjithë

09/03/2021 20:09

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së emrit të dr. Drini Dobit, Shërbimit Neurovaskular (Stroke, post-strok), në QSUT, sot, kur mbushet 1 vit nga fillimi i epidemisë në vendin tonë.

Në ceremoninë në nder dhe kujtim të dr. Drinit, i cili humbi jetën si pasojë e Covid19, ku merrnin pjesë familjarët, miqtë e ngushtë dhe kolegë, Manastirliu tha se dr. Drini la pas një familje të mrekullueshme dhe një emër që do të kujtohet gjithmonë.
“Dr. Drini nuk arriti dot ta fitonte betejën e tij të jetës. Edhe pse, për të thënë të vërtetën, ai ka fituar betejën më të madhe në jetë. Betejën për të patur dhe për të lënë pas një familje të mrekullueshme, me fëmijë të mrekullueshëm dhe për të lënë pas një emër, që do të kujtohet gjatë nga njerëzit e tij, nga kolegët e tij, por mbi të gjitha nga njerëzit që i ka shërbyer. Shërbimi Strok, post-Strok, që tashmë merr emrin e dr. Drinit është një shërbim i ri, siç ishte dr. Drini në fakt. Ky shërbim do të duhej të rritej me këtë staf, e ashtu dhe me të”, tha Manastirliu në fjalën e saj.

Duke folur për vitin e vështirë si pasojë e pandemisë së Covid19, Ministrja e Shëndetësisë tha se pavarësisht shumë jetëve të shpëtuara nga përkushtimi i mjekëve, ka edhe jetë të humbura, ndër ta, mjekë e infermierë.

“Në këtë 1 vjetor të luftës me Covid, edhe pse kemi mijëra jetë të shpëtuara, fatkeqësisht kemi më shumë se 1900 jetë të humbura. Ndër ta është dhe dr. Drini. Ndër ta, janë dhe mjekë e infermierë, të cilët nuk e fituan dot këtë betejë. Edhe pse përkushtimi i gjithë mjekëve dhe infermierëve në shërbim të të gjithë atyre që nuk ia dolën dot në betejën me këtë virus, ishte maksimal”, tha Manastirliu.

E pranishme në ceremoni, ishte dhe bashkëshortja e dr. Drini Dobit, e cila shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i bëhet dr. Drinit, duke i vendosur emrin e tij, shërbimit për të cilin ai u kujdes aq shumë.

“Kur mendoj se çfarë do të mendonte Drini dhe ajo që do të bënte është një mirënjohje pa fund dhe do të gjente një mënyrë si të shprehte mirënjohjen për të gjithë Ju. Ju falenderoj shumë të gjithëve. Mendoj që Drini është kujdesur shumë për këtë shërbim. E donte shumë. Do vazhdojë të kujdeset në mënyrën e tij, duke qenë i mbarë me emrin e tij në këtë shërbim, duke sjellë mbarësi”, ishin fjalët e bashkëshortes së dr. Drini Dobit.

Në ceremoni merrnin pjesë dhe kolegë të dr. Drinit, të cilët shprehën vlerësime për figurën e doktorit, si një njëri i rrallë.

“Ajo çfarë ka lënë Drini mbrapa është një emër i cili do të kujtohet me respekt. Dhe është gjëja më e vështirë që të lësh emrin e mirë në këto kohë që jetojmë. Kështu është propozimi jonë dhe dua të falenderoj ministren që na mbështeti, që repartit të Strokut, t’i vihet emri i Drinit, në mënyrë që edhe vitet kur të kalojnë emri tij të mbetet”, ishin fjalët e Prof. Arben Gjatës.
“Këtë emër që po merr shërbimi, Drini e ka bërë me jetën e vet, me punën e vet, me përkushtimin e vet dhe me atë që ai dinte të dhuronte më mirë se çdo gjë tjetër, dashurinë për njerëzit. Sepse çdo lloj shërbimi mjekësor Drini e bënte me dashuri”, tha Prof. Mira Rakacolli.

“Me Drinin mësuam se vlerat e mjekut të mirë mbeten ende një gjë e çmuar për komunitetin. Nuk kishte ndodhur më parë. U desh Drini që të rivendosi për të gjithë ne, një standard bukurie për nga vlerat njerëzore”, tha Prof. Ariel Çomo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA