Një grup prej 12 shtetesh amerikane dje ngritën proces gjyqësor kundër urdhrit ekzekutiv të ndryshimeve klimatike të presidentit Joe Biden, duke pretenduar se kjo do të dëmtonte ekonominë amerikane dhe industritë e energjisë së këtyre shteteve.
Grupi argumentoi se presidenti dhe administrata e tij nuk kanë autoritetin për të pohuar dhe zgjeruar fuqinë e tyre rregullative federale në shtetet amerikane.
Ata po ashtu pretendojnë se rregulloret e ndryshimeve klimatike të Biden-it do të kishin ndikim të rëndësishëm ekonomik në prodhuesin më të madh të naftës dhe gazit natyror në botë.
Prokurorët e përgjithshëm të shtetit nga Missouri, Arkansas, Arizona, Indiana, Kansas, Montana, Nebraska, Ohio, Oklahoma, South Carolina, Tennessee dhe Utah janë të përfshirë në procesin gjyqësor të ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Missouri-t, Eric Schmitt.
“Prodhimtaria, bujqësia dhe prodhimi i energjisë janë thelbësore për ekonominë e Missouri-t dhe punësojnë mijëra banorë të Missouri-t në të gjithë shtetin”, tha Schmitt në një deklaratë.
Në padi theksohet se nëse urdhri i Biden-it mbetet, do të shkaktojë trilionë dollarë dëm të ekonomisë amerikane për dekada duke humbur vendet e punës, duke ndaluar prodhimin e energjisë dhe duke parandaluar pavarësinë energjetike të SHBA-së.
Urdhri i Biden-it, i titulluar “Mbrojtja e Shëndetit Publik dhe Mjedisit dhe Rivendosja e Shkencës për të Trajtuar Krizën e Klimës”, revokoi lejen për zgjatjen e tubacionit të naftës Keystone, ndaloi përkohësisht shpimet në Arktik dhe urdhëroi agjencitë federale të respektojnë politikat mjedisore të administratës./AA/
Top Channel