S’do garojë më 25 prill, deputetja: S’është e lehtë të jesh pjesë e parlamentit

09/03/2021 10:10

Deputetja Elena Xhina Duka ka vendosur të mos garojë në zgjedhjet e 25 prillit.

Lajmin ajo e bën të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, ndërsa e vlerëson të qenit pjesë e parlamentit si një eksperiencë të jashtëzakonshme.

Ajo thotë se do t’i bënte ndryshe disa gjëra nëse do të kthehej pas, por shton se “në çdo akt të kryer, në çdo vendimmarrje jam udhëhequr nga parimi i të drejtës”.

“Nuk është e lehtë të jesh pjesë e parlamentit, pasi pesha e atij tempulli rëndon mbi supe por e rëndësishme është të mos tjetërsohesh e kur të mbyllësh derën në mbrëmje e të shihesh në pasqyrë të jesh përsëri ti, të kesh guxim të shohësh veten në sy e për këtë jam krenare dhe e qetë”, thotë ajo mes të tjerash.

Postimi i plotë:

Tashmë kur na ndajnë disa ditë nga zgjedhjet dhe Kuvendi i Shqipërisë po përfundon legjislaturën e IX-të, ndjej të them dy fjalë për këtë rrugëtim… të qenit pjesë e parlamentit ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua, duke njohur një dimension tjetër të vetes e që prirej drejt të qenit e dobishme. “Me tri mënyra mund të bëhemi të mençur: Së pari, nëpërmjet reflektimit, që është mënyra më fisnike; Së dyti, nëpërmjet imitimit, që është më e lehta; Dhe së treti, nëpërmjet përvojës, që është më e hidhura.” – ka thënë mendimtari i madh Konfuci e pikërisht kjo është një nga vlerat e këtij rrugëtimi për mua.

Natyrisht nëse do të kthehesha sërish, disa gjëra padyshim që do ti kisha bërë më mirë por një gjë nuk do të ndryshonte…në çdo akt të kryer, në çdo vendimmarrje jam udhëhequr nga parimi i të drejtës, ndershmërisë dhe i dëshirës për të bërë më mirën. Jam përpjekur të jap kontributin tim modest në çdo projektligj të ardhur në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Sigurisë e dua të falenderoj gjithë kolegët për mbështetjen që më kanë dhënë. Kam këmbëngulur për të arritur në atë që konsideroja të drejtë e nuk kam bërë asnjë kompromis për të kundërtën. Nuk është e lehtë të jesh pjesë e parlamentit, pasi pesha e atij tempulli rëndon mbi supe por e rëndësishme është të mos tjetërsohesh e kur të mbyllësh derën në mbrëmje e të shihesh në pasqyrë të jesh përsëri ti, të kesh guxim të shohësh veten në sy e për këtë jam krenare dhe e qetë…
I uroj suksese kandidatëve të të gjithë forcave që do të garojnë në zgjedhje e shpresoj për një Parlament politikbërës dinjitoz e me personalite që mbartin vlera intelektuale por mbi të gjitha njerëzore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA