I biri i ish-deputetit Fatmir Xhindi, Anduel Xhindi, i cili nuk u rikandidua nga PS për qarkun e Fierit, përmes një statusi në “Facebook” shkruan se do të vazhdojë të qëndrojë pranë qytetarëve.
Ai shkruan se pjesëmarrja e tij në politikë nuk ishte një pjet për të arritur qëllimet por rruga e ndershme që babi i tij nisi, një ëndërr e tij e lënë përgjysmë.
“Partia Socialiste nuk është një individ, nuk jam unë, është më shumë se kaq, është ndjenjë, ideal dhe shpresë që e ardhmja e kërkuar nga brezat të mos jetë vetëm një enderr, por realitet i prekshëm. Partia Socialiste është vizion dhe mundësi, ku të gjithë mund të japim kontributin tonë kudo, në parlament, në terren, ne çdo skaj, brenda e jashtë vendit”, shkruan më tej Xhindi.
I pari në listën e Fierit është senatori socialist Erion Brace, i katërti ish kryeministri Bashkim Fino dhe i dhjeti Gramoz Ruci.
Statusi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Së pari, ndjej të nevojshme të falenderoj gjithësecilin prej jush që nga Ngjeqari, Vloshi, Mbersi, Kurjani, Kumani, Luari,Vidhishta, Roskoveci, Jagodina, Suku1, Suku2, Arapaj, Strumi e Velmishi, FALEMINDERIT me përulje për çdo votë tuajën, për besimin, për kohët e bukura e të veshtira të kaluara sëbashku.
FALEMINDERIT çdo të majti e të djathti, çdo burri e gruaje, çdo nëne e gjyshi, çdo të riu e të reje, që besoi te unë për të qenë zëri i halleve tuaja.
U rrita me ju e kemi jetuar sëbashku hallet, gëzimet e hidhërimet e njëri-tjetrit, duke qenë gjithnjë të pranishëm në çdo moment e rrethanë. Kam pasur fatin të jem dhe do mbetem gjithnjë mbështetësi juaj më i madh. Dera e hapur nga Fatmir Xhindi, ashtu sikurse nuk eshte mbyllur kurrë, do të vazhdoj të qendrojë përherë e hapur për gjithçka ju mendoni se mund t’ju jem pranë. Pjesmarrja ime në politikë erdhi në një moment jo fort të përshtatshëm dhe të dëshirueshëm, nisur prej rrethanave, por kjo në asnjë moment nuk zbehu dëshirën dhe gadishmërinë time për të qenë aty me ju dhe për ju.
Politika për mua nuk ishte mjet pë të arritur qëllimet, ishte dhe është rruga e ndershme që babai im nisi. Ishte dhe është ëndrra e tij e lënë përgjysëm dhe dëshira e vullneti i mirë imi dhe i familjes sime, që JU të mos mbeteshit kurrë vetëm e të kishit përherë një derë të hapur dhe një zë kudo ku ju keni menduar që nuk degjoheni.
Partia Socialiste nuk është një individ, nuk jam unë, është më shumë se kaq, është ndjenjë, ideal dhe shpresë që e ardhmja e kërkuar nga brezat të mos jetë vetëm një enderr, por realitet i prekshëm. Partia Socialiste është vizion dhe mundësi, ku të gjithë mund të japim kontributin tonë kudo, në parlament, në terren, ne çdo skaj, brenda e jashtë vendit.
Falenderoj Partinë Socialiste, kryetarin e saj Edi Rama, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, për besimin e dhënë. Falenderoj të gjithë kolegët për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve.
Unë besoj tek Partia Socialiste!
Juaji përherë,
Anduel Xhindi
Top Channel