Francë, pandemia merr hov sërish/ Parisi nuk ka më shtretër në terapitë intensive

09/03/2021 20:40

Spitalet në kryeqytetin francez dhe zonat përreth tij janë urdhëruar të reduktojnë trajtimet jo Covid në masën 40% pasi kërkesa për shtretër në terapitë intensive mbërriti pikën kulmore.

Situata epidemiologjike në vend ka pësuar një tjetër përkeqësim në një kohë kur autoritetet franceze janë kritikuar për një fushatë të ngadaltë vaksinimi, teksa niveli i infektimeve mbetet i lartë. Qeveria është përpjekur të shmangë rikthimin e karantinës, duke e bërë të qartë se ajo ka për të qenë “zgjedhja e fundit”, dhe për momentin nuk është në agjendën e ekzekutivit, por gjendja po monitorohet me kujdes dita-ditës.

Kreu i autoritetit rajonal shëndetësor për rajonin e Île de France, u shpreh se situata është tejet e tensionuar. Duhet të veprojmë me urgjencë, tha Aurélien Rousseau, që nënvizoi se përgjatë dy javëve të fundit ka pasur 35 shtrime në ditë në repartet e kujdesit intensiv.

“E gjithë kjo të krijon përshtypjen se sistemi ynë spitalor nuk do ta përballojë dot peshën e do të shembet”, shtoi ai. deri tani në France, vetëm 8.4% e popullatës e ka marrë dozën e parë të vaksinës, krahasuar me 34% në Britaninë e Madhe.

Top Channel