Ministrja e Kulturës Elva Margariti, zhvilloi ditën e sotme në parlament interpelancë me deputetin Artur Roshi.
Deputeti Roshi pyeti ministren se çfarë është bërë për të censuruar propagandën në filmat e komunizmit, ndërsa kërkoi që të dënohen dhe të ndalohen me ligj filmat që përcjellin urrejtje.
Ministrja theksoi se do të ishte marrëzi që të censurohet një punë kolektive e krijuar në atë kohë, ndërsa theksoi se brezi i ri janë të lexuar dhe nuk mund të infektohen nga ajo kohë e komunizmit.
“Më lejoni ta filloj fjalën time me urimet më të sinqerta për gratë. Deputeti Roshi është i shqetësuar për filmat e periudhës së diktaturës siç i quan ai, për lapidarët dhe për varrezat. Gjithë panik kërkon një interpelancë si mundësia e fundit për të treguar ekzistencën e vet në këtë vend janë të adresuara gabimisht këto çështje në ministrinë e Kulturës. Do të ishte marrëzi që Ministria e Kulturës të merrte përsipër të censurohet një punë kolektive e krijuar kjo në një kohë dhe në një kontekst të caktuar. Unë ju them me bindje se ka vdekur ajo kohë kur ndaloheshin dhe censuroheshin filma. Shqipëria e ka lënë pas këtë censuruar dhe ka zgjedhur rrugën e demokracisë. Qoftë arte pamore apo letërsi ato vlerësohen nga publiku. Janë krijimtari e mirëfilltë e skuadrave të mëdha. Nëse keni frikë për brezin e ri që mund të infektohen nga propaganda, janë aq të hapur dhe të lexuar sa nuk do të shokohen nga propaganda. Krijimtaria artistike e krijuar para viteve ’90 është produkt i asaj punë dhe është dëshmi e gjallë sesi regjimi ndikon mbi to”, tha Margariti.
Top Channel