Ekipi i Shtëpisë së Bardhë për reagimin ndaj COVID-it tha se të gjitha vaksinat e miratuara kundër koronavirusit janë të efektshme dhe të parrezikshme dhe u bëri thirrje amerikanëve të bëjnë cilëndo vaksinë që u ofrohet në klinikën e tyre. Reagimi pason komentin e kryebashkiakut të Detroitit i cili u shpreh se nuk do vaksinën e prodhuar nga Johnson & Johnson dhe e kishte mohuar ofertën për një sasi të kësaj vaksine për përdorim në qytetin e tij.
Në një konferencë për shtyp, këshilltari për koronavirusin Andy Slavitt tha se Shtëpia e Bardhë kishte kontaktuar kryebashkiakun dhe se kishte pasur një keqkuptim dhe Duggan nuk kishte synuar të refuzonte vaksinat. “Në fakt, ai i pret vaksinat e Johnson & Johnson me entuziazëm”. Dr. Anthony Fauci përsëriti se të tria vaksinat janë “jashtëzakonisht” efektive për parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes si dhe vdekjet.
Ai këshilloi amerikanët të bëjnë cilëndo vaksinë u ofrohet, sepse është me rëndësi që të vaksinohen. Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Rochelle Walensky tha se shpreson se agjencia do të nxjerrë udhëzimet zyrtare për ata që janë vaksinuar. Ajo tha se e kupton që njerëzit mezi presin të dinë se çfarë u lejohet të bëjnë, por qendra do të sigurohet se po jep këshillat e duhura.
Udhëzimet e qendrës do t’u përgjigjen një numër pyetjesh lidhur me aktivitetet që mund të bëjnë të vaksinuarit, si vënia apo jo e maskës, lëvizja me avion ose frekuentimi i restoranteve. Më shumë se 54 milionë njerëz në SHBA kanë bërë deri tani 1 dozë vaksine, ndërsa më shumë se 27 milionë vetë janë të vaksinuar plotësisht.
Top Channel