Statitistikat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2020 lindën 28.075 foshnja, 1,7 % më pak krahasuar me një vit më parë.
Gjatë diskutimit në emisionin “Shqipëria live”, të ftuarit japin arsye të ndryshme, por duke theksuar se pandemia ka ndikimin kryesor.
Mjekja gjinekologe, Mimoza Keta thotë se prindërit kanë frikë të sjellin në jetë një fëmijë në këtë periudhë. “Ka pasur çifte që kanë ardhur për vizitë dhe thonë sa të kalojë pandemia nuk duam të lindim. Drejtohen te mjeku për ti ndihmuar të lindin aq fëmijë sa duan. Gjatë periudhës së pandemisë, nuk kanë rënë konsultimet, por ka dhe çifte që pas këshillimit për të ngelur shtatzënë, thonë a mund ta provoj pas pandemisë Shumica e atyre që vijnë për konsultim, pyesin a rrezikon fëmija, po unë. Në fillim u tha që nuk kalon virusi te bebi, me studime të mëvonshme u tha se mund të infektohet”.
Zv.drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Maksim Gjoni tregon se raste kur të porsalindurit kanë shfaqur simptoma të Covid 19 kanë qenë të pakta. “Ne kemi asistuar dhe 50 pacientë me Covid dhe prej tyre vetëm dy fëmijë kanë pasur shenja të pakta të virusit dhe ka mundësi të jetë nga nëna. Por, është e vërtetë, që këtë periudhë frika është shumë e madhe”.
Eksperti i ekonomisë, Arbi Agalliu ndalon se paqëndrueshmëria ekonomike që pengon çiftet të planifikojnë fëmijë këtë periudhë. “Ardhja e një fëmijë sot, kur kërkesat e për t’i plotësuar kushtet fëmijëve është rritur. Çiftet stepen sepse e dinë që është një shpenzim i konsiderueshëm. Pagat janë ulur, frika për vendin e punës ka ndikuar”.
Mjeku, Gëzim Tushi e zgjeron temën duke e shpjeguar uljen e lindshmërisë si fenomen botëror. “Ka të bëjë me një lloj moderniteti i shoqërisë, çiftet sot kanë objektiva më të rëndësishme. Sot kanë ideale si karriera, paraja, vetëpërmbushja. Përdorimi i masave mbrojtëse për të penguar shtatzënitë e padëshiruara. Është çështje e stilit të jetesës, kohës që ke në dispozicion për fëmijën. Paradoksi që ndodh në Shqipërinë tonë është se më shumë fëmijë bëjnë familjet e varfra se të pasura”.
Çfarë duhet bërë sipas tij? “ Së pari duhet të ndjekim politika për të penguar emigracionin se kryesisht po ikin të rinjtë. Të ndiqen politika mbështetëse për ata që po planifikojnë të sjellë fëmijë. Për shembull të ketë bonuse për fëmijët para se të hyjnë në çerdhe”.
Top Channel