Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi kundër përpjekjeve “për të ndarë Evropën nga Amerika Veriore” dhe tha se Bashkimi Evropian “nuk mund ta mbrojë kontinentin i vetëm”, përballë kërcënimit të terrorizmit dhe “sjelljes destabilizuese” të Rusisë.
“Çdo përpjekje për të ndarë Evropën nga Amerika Veriore jo vetëm që do ta dobësojë NATO-n, por do ta ndajë edhe Evropën”, tha Soltenberg.
“Unë nuk besoj në Evropën vetëm, as në Amerikën Veriore vetëm. Unë besoj në Amerikën Veriore dhe në Evropën bashkë, në NATO, në solidaritet strategjik. Pavarësisht sfidave me të cilat përballemi, bashkë jemi më të fortë”.
Në një intervistë për AFP-në, ai shtoi se i mirëpret përpjekjet e Brukselit për të rritur shpenzimet dhe për të modernizuar industrinë e mbrojtjes, por tha se është skeptik ndaj thirrjeve që Evropa të zhvillojë “autonomi strategjike”, të llojit që po nxit presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
“Unë i mbështes përpjekjet e BE-së për mbrojtjen, sepse më shumë shpenzime në mbrojtje, aftësitë e reja ushtarake dhe adresimi i copëzimit të industrisë evropiane të mbrojtjes – të gjitha këto do të jenë mirë për sigurinë evropiane, për sigurinë transatlantike, për të gjithë ne. Pra, të gjitha këto përpjekje – për sa kohë që e plotësojnë NATO-n – ne i mirëpresim, por BE-ja nuk mund ta mbrojë Evropën”.
Stoltenberg nënvizoi se lidhja e fortë transatlantike është “themeli” i sigurisë së Evropës. Presidenti i mëparshëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka tensionuar marrëdhëniet me anëtarët evropianë të NATO-s, duke pretenduar se ata nuk kontribuojnë sa duhet në mbrojtjen e tyre.
Trump, disa herë, e ka vënë në dyshim edhe rëndësinë e aleancës ushtarake. Presidenti i ri Biden, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me aleatët e NATO-s por në të njëjtën kohë ka theksuar nevojën që Evropa t’i përmbushë zotimet për shpenzime. Ai pritet të marrë pjesë në një samit të udhëheqësve të vendeve të NATO-s më vonë këtë vit.
Top Channel