Zgjedhjet e 25 prillit/ Meta: Nuk pretendoj të jemi si Danimarka, por të paktën t’i ngjajmë Kosovës. Kush shet votën…

04/03/2021 12:23

Presidenti Ilir Meta ka folur me përfaqësuesit e shoqërisë civile në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit duke theksuar se duhet pasur besim tek fuqia e votës.

Gjatë aktivitetit online, Meta u shpreh se nuk pretendon zgjedhje si në Danimarkë apo Suedi, por të paktën t’i ngjajmë Kosovës apo Maqedonisë së Veriut. Presidenti i bëri thirrje çdo qytetari që tregohet indiferent dhe nuk voton që të mos ankohet pasi nuk ka të drejtë morale.

Të njëjtën gjë tha edhe për ata që e shesin votën duke thënë se e humbin të drejtën për të kërkuar llogari.

 “Dy janë detyrat e mia më të rëndësishme për të dhënë kontributin maksimal për përballimin e pandemisë dhe së dyti për ti shërbyer garantimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, të cilat janë baza e gjithçkaje për vendin tonë dhe qytetarët tanë.

Unë nuk jam naiv që të pretendoj zgjedhje si në Danimarkë apo Suedi, për momentin. Në të ardhmen pse jo. Por ne i kemi të gjitha mundësitë si shoqëri, popull dhe institucione, të paktën ti ngjajmë Kosovës me zgjedhjet e fundit, apo Maqedonisë së Veriut.

Një temë që duhet të ishte e përfshirë është ajo që ka të bëjë me krimin zgjedhor dhe veprat penale që prekin sistemin demokratik të zgjedhjeve. Duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje informimit të njerëzve. Sqarimit të shumë elementeve që kanë të bëjnë me informimin e votuesit dhe me mënyrën si ai do të zgjedhë dhe është e rëndësishme që të gjithë ti ndërgjegjësojmë qytetarë tanë që në një sistem demokratik fuqia është vota. Kjo është një fuqi tek e cila duhet pasur besim.

Çdo demotivim, çdo indiferencë nuk i shërben jo vetëm demokracisë, por edhe qytetarit që të jetë më kërkues për të qenë më aktiv. Unë kam besim që çdo qytetar që nuk voton, moralisht  nuk ka të drejtë të ankohet.

Ashtu sikurse çdo qytetar që e shkëmben votën e tij me favore të caktuara dhe e shet votën, në atë moment ai ka humbur të drejtën e llogaridhënës ndaj atij që i ka ofruar paratë.

Ndaj unë mendoj që kemi nevojë për bashkërendim për të garantuar një proces për vendin tonë për të kapërcyer një nga kushtet për çeljen e negociatave”, tha ndër të tjera Presidenti Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA