Tërmeti i mori shtëpinë, imamit të Farkës i rindërtohet nga e para, Veliaj: Përballuam me sukses sfida që përkulën shumë të tjerë!

04/03/2021 17:09

Tërmeti i 26 Nëntorit nuk kurseu as shtëpinë e Ismail Hasës, imamit që i shërben prej vitesh komunitetit të Farkës.

Por, një vit më pas ai i gëzohet shtëpisë së re, të përfituar falë Programit të Rindërtimit. Kryebashkiaku Erion Veliaj vizitoi familjen e imamit të njohur në zonë dhe siguroi se qeveria po punon çdo ditë për të përballuar me dinjitet sfida, të cilat vende të tjera ende nuk i kanë kapërcyer.

“Kaluam një sfidë shumë të madhe, por mesa duket ishim mjaftueshëm të pjekur si shoqëri për ta mbajtur këtë barrë. Them se e mbajtëm me dinjitet, sepse ka ende kombe, shumë më të mëdha se i yni, që janë përkulur dhe ende nuk i kanë dhënë dum. Ja ku është Italia, ka 40 vjet tërmeti i Potenzës, kurse në Aquila u bënë 12 vjet e 5 vjet në Amatrice, ende pa zgjidhje,” tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se, opozita që deri dje shkatërronte dhe nuk i ka dhënë dorë asnjë familjeje, qoftë edhe me një pako ushqimore, sot di vetëm të akuzojë. “Ata që vranë me plumba në mish në Bulevard, që shkatërruan Gërdecin, që rrëmbyen klubin Partizani, njerëz që këtu kanë vilat e tyre dhe nuk ndihmuan kurrë me një kuti ushqimesh, por bëjnë sponsorizime në “Facebook” e “Instagram”, duke skuqur vezë e duke i dhënë makinës, janë bërë mjeshtra për të kritikuar,” u shpreh ai.

Veliaj shtoi se PS nuk i ka parë kurrë njerëzit si votues të majtë, apo të djathtë, përkundrazi ka punuar edhe më shumë për ata që PD iu merrte votën, por më pas “harronte” t’u jepte pagesën e PAK dhe ndihmën ekonomike, të cilën e merrnin njerëz influencë, me vila e me makina. Ai tha se koalicioni PD-LSI duket si viti ’97 i Saliut, i cili sot në moshën e Enverit, kërkon të vijë për herë të tretë në pushtet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA