10 mijë vaksina kundër koronavirusit ka marrë me vete Aleksandër Vucic në Bosnje, ku mbërriti paraditen e sotme.
Dozat e vaksinës AstraZeneca do të shpërndahen në Federatën e Bosnjës, njërin nga dy entitetet e këtij vendi. Në aeroportin e Sarajevës, ai deklaroi se “është i lumtur nëse këto vaksina do shpëtojnë jetë në Bosnje e Hercegovinë”.
“Çdo vaksinë që duan qytetarët e Bosnjës, ne do ta shpërndajmë. Çështja është te besimi reciprok. Kemi pritur ndihmën e njerëzve shumë më të fuqishëm, por në fakt po mbështetemi te njëri-tjetri. Ne në Serbi nuk mund të jemi të lumtur nëse njerëzit në Sarajevë, Banja Llukë ose Tuzëll nuk janë të lumtur”, tha Vuçic.
Entiteti tjetër i Bosnjës, Republika Sërpska, ka nisur vaksinimin në shkurt, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia. Republika Sërpska ka marrë vaksinën ruse Sputnik V. Serbia i ka dhuruar vaksina edhe Malit të Zi, e Maqedonisë së Veriut. Deri tani, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia besohet se ka vaksinuar numrin më të madh të qytetarëve kundër koronavirusit.
Autoritetet serbe kanë siguruar vaksina ruse, kineze dhe të kompanive perëndimore, si: Moderna, Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka nisur ende imunizimin e popullatës kundër koronavirusit.
Top Channel