Vërtetimi i vaksinimit në Greqi/ Gazetari Bibe jep detajet: Mjafton ta kesh në xhep, pas dy muajsh do jetë formati zyrtar

01/03/2021 10:03

Zyrtarët e lartë kanë rënë dakord që të zhvillojnë një pasaportë apo certifikatë të njësuar vaksinimi në mënyrë që njerëzit të udhëtojnë lirshëm.

Një ndër shtetet që e ka propozuar është Greqia dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis që në fillim të janarit i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të krijohet një certifikatë vaksinimi, që sipas tij do të ndihmojë të rinisin normalisht kalimet mes kufijve dhe se një veprim i tillë do të “nxiste pozitivisht” qytetarët që të vaksinohen.

Gazetari i Top Channel, Artur Bibe ka dhënë detaje në “Wake Up” rreth certifikatës së vaksinimit.

“Deri tani në Greqi janë vaksinuar rreth 850 mijë persona, që kanë marrë një ose dy doza, nga të cilat shumica e të cilave, rreth 550 mijë afërsisht, janë marrë të dyja dozat e vaksinës. Në momentin që bën dozën e dytë të vaksinës, të jepet një vërtetim, ku me password-in tënd në kodin fiskal, mund të shkarkosh këtë vërtetim dhe ta kesh më vete.

Aktualisht ky vërtetim është i papërdorshëm. Për momentin mjafton ta kesh në xhep, sepse nuk të lejohet të udhëtosh, pasi kudo që të shkosh duhet të kesh testin me vete.

Por, pas komunikimeve me ministrinë e Mbrojtjes Qytetare, na thanë që 2 muaj më vonë do të jetë formati zyrtar i këtij dokumenti. Besoj do jetë një dokument i unifikuar për të gjitha vendet e BE-së, do jetë në anglisht dhe do të jepen disa dhëna të personit, jo shumë, që ka bërë vaksinën.

Ideja ishte që në dokument të shënohet lloji i vaksinës që ka marrë. Në këtë dokument duhet të mos ketë të dhëna që krijojnë racizëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve”, sqaroi Artur Bibe për “Wake Up”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA