Bruksel – Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili është i pranishëm në mbledhjen e 11-të të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit thotë se sot po konfirmohet e ardhmja e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.
Me anë të një postimi në Twitter, shkruan: “Në Këshillin e Stabilizim-Asociimit #EU #Albania në Bruksel sot, duke konfirmuar të ardhmen e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo është një përparësi kryesore për të cilën punojmë. Dhe BE vazhdon të qëndrojë pranë vendit dhe qytetarëve të saj”.
Takimi u drejtua nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/ Zëvendëspresidenti i Komisionit, Josep Borrell. Delegacioni shqiptar drejtohej nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla dhe Kryenegociatori për Shqipërinë në BE, Zef Mazi. Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Olivér Várhelyi, ishte gjithashtu i pranishëm duke përfaqësuar Komisionin Evropian.
Këshilli i SA i njohu sfidat e jashtëzakonshme që Shqipërisë i është dashur të përballojë për shkak të tërmetit shkatërrues të 2019, të amplifikuara edhe me sfidat e shkaktuara nga pandemia e COVID-19. Në këtë kontekst, Këshilli i SA risolli në vëmendje mbështetjen e paprecedentë që BE i ka ofruar Shqipërisë dhe rajonit, me 1.15 miliardë euro të mobilizuara për rimëkëmbjen nga tërmeti dhe për zbutjen e pasojave të pandemisë.
Kjo e fundit përfshin mbështetje shëndetësore dhe ekonomike prej 3.3 miliardë € në total për rajonin, përfshirë 4 milion € për pajisje urgjente mjekësore për Shqipërinë, mbi 46 milion € për mbështetje socio-ekonomike dhe një kredi 180 milion € për asistencë makro-financiare.
Përveç kësaj, Plani Ekonomik dhe i Investimeve për rajonin përmban një paketë të konsiderueshme investimesh deri në 9 miliardë € dhe garanci që synojnë të mobilizojnë deri në 20 miliardë € për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.
Këshilli i SA mirëpriti vendimin historik të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Mars 2020, për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. Këshilli i SA njohu pozitivisht Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2020, i cili vlerësoi se Shqipëria i rriti përpjekjet e saj dhe shënoi rezultate të mëtejshme, të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Konkluzionet e Këshillit.
Këshilli i SA shprehu pritshmërinë për zhvillimin e konferencën e parë ndërqeveritare (IGC) sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të Kornizës Negociuese, dhe në përputhje me kushtet për mbajtjes së saj, siç përcaktohet në konkluzionet e Këshillit të 25 Marsit 2020.
Këshilli i SA rishikoi dhe vuri në dukje progresin në fushat e reformave duke përfshirë shtetin e së drejtës dhe gjyqësorin, respektimin e të drejtave themelore, administratën publike, politikën ekonomike, arsimin dhe punësimin, ndërlidhshmërinë dhe axhendën e gjelbër. Këshilli i SA vlerësoi vendosmërinë e Shqipërisë në zbatimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian.
Një theks i veçantë u vu tek procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (“procesi i vetingut”) si edhe tek Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, që kanë rifilluar tashmë nga puna. Këshilli i SA vlerësoi pozitivisht se organet e reja të specializuara të Shqipërisë për të luftuar anti-korrupsionin dhe krimin e organizuar kanë filluar të veprojnë.
U diskutua gjithashtu përparimi në zbatimin e planit të veprimit të Task Forcës së Aksionit Financiar (FATF) për luftën kundër pastrimit të parave. Këshilli i SA theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të reformës, veçanërisht në lidhje me emërimet e gjyqtarëve dhe hetuesve, si dhe procedimin e vazhdueshëm të çështjeve në pritje dhe forcimin e mëtejshëm të historikut të zbatimit të ligjit.
Këshilli i SA shënoi përparimin e bërë në përgatitjet praktike për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë drejtim, Këshilli i SA ra dakord mbi nevojën për ndjekje të mëtejshme të të gjitha aspekteve që përfshihen në rekomandimet e OSBE / ODIHR, si dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.
Dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirës midis partive politike dhe bashkëpunimi në Parlamentin e Shqipërisë do të jenë thelbësore për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE.
Këshilli i SA vuri në dukje se periudha kalimtare e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përfundoi në 31 Mars 2019 dhe se që nga 1 Prilli 2019 Shqipëria është e asociiuar plotësisht me BE.
Top Channel