Firmosi marrëveshjen me Kryemadhin, Basha: Udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot!

01/03/2021 10:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbajti një deklaratë të shkurtër pas firmosjes me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se çdo ëndërr do të bëhet realitet e se udhëtimi i përbashkët nis që sot.

Më tej kryedemokrati tha se premtimet e tyre nuk janë boshe, duke i krahasuar me ato të qeverisë.

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA

Të dashur bashkëqytetarë, bashkëkombës kudo ku ndodheni, çdo udhëtim i madh nis me një hap, me një hap të parë.

Dhe çdo shpresë nis me një ëndërr e cila bëhet realitet.

Udhëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. Koalicioni ynë, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka bashkuar të gjitha forcat për të garantuar që 25 prilli të jetë dita e ndryshimit.

Pas 8 vite dështimesh, 8 vitesh premtimesh boshe, pas 8 vitesh ku Shqipëria ka mbetur vendnumëro në të gjitha drejtimet, ndërsa vendet e ngjashme me ne kanë përparuar dhe janë përmirësuar, ka ardhur koha që të ndryshojmë.

Ne do të sjellim ndryshimin. Gjatë javëve të fundit unë jam takuar çdo ditë me ju qytetarë të Shqipërisë anë e mbanë vendit.

E shoh shpresën dhe optimizmin tuaj.

E ndjej entuziazmin se bashkë me pranverën po vjen dhe dita e ndryshimit të shumëpritur.

Dëshirën tuaj të vërtetë për të ndryshuar gjërat me të vërtetë për çdo shqiptar. Në emrin tim, te Partisë Demokratike dhe të koalicionit tonë angazhohem se nuk do të ju zhgënjej. Se do të punojmë së bashku duke bashkuar të gjitha forcat për të sjellë një të ardhme të re dhe të mirë për çdo shqiptar.

Ne e dimë të vërtetën.

Njerëzit tanë janë të fortë. Shqiptarët janë të fortë. Shqipëria është e fortë dhe plot me mundësi por, Shqipëria meriton një qeverisje të mirë. Një qeverisje që kujdeset për ju në vend që të kujdeset për veten e saj.

Ndaj gjatë javëve të fundit kam prezantuar planet tona të punës në të gjitha drejtimet. Për ekonominë, për arsimin, për shëndetësinë, për turizmin, për luftën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, për kthimin e të rinjve në vend dhe ndaljen e katastrofës kombëtare të emigracionit, për integrimin Europian të Shqipërisë.

Pra në çdo drejtim, me anë të së cilit fiton çdo shqiptar, fiton Shqipëria. Këto nuk janë premtime boshe nga ato që bën përsëri kryeministri në ikje. Këto janë plane pune që do të ndryshojnë jetën e secilit prej jush.

Tani ka ardhur çasti të bashkohemi, tani ka ardhur çasti të fitojmë së bashku për Shqipërinë, për familjet tuaja, për çdo shqiptar.

Të shkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, fshat më fshat, qytet më qytet, dhe të garantojmë fitoren e 25 Prillit, fitoren e zgjedhjeve me anë të së cilës do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë familjet tuaja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Ju faleminderit!

FOTO GALERI
1/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA