Një tjetër terren sportiv iu shtua sot kryeqytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fushat e reja të volejbollit, basketbollit dhe minifutbollit në Laprakë, që nga një hapësire totalisht e zaptuar, e cila ishte kthyer në një parkim makinash, tashmë do jetë në shërbim të komunitetit.
“Ishte një grup që e kishte zaptuar këtu hapësirën mes pallateve, për të parkuar makinat dhe me demek mbronte interesin e makinave, ndërkohë që ishin thjesht zaptues të një territori publik, për t’u gëzuar nga të gjithë, siç ishte zaptuar edhe fusha e futbollit në anën tjetër të rrugës. Sot, Lapraka mund të themi që ka cilësinë më të madhe të fushave sportive e terreneve sportive”, u shpreh Veliaj.
Në gjithë Tiranën po punohet me të njejtën cilësi, si në qendër ashtu edhe në periferi. Me mirëkuptim kryebashkiaku kërkoi nga banorët që përveç se t’i shijojnë edhe t’i mirëmbajnë këto ambiente.
“Kam edhe një porosi, duhet edhe mirëmbajtur. Nëse kjo mirëmbahet, ne shkojmë akoma më në periferi, pra ne mund të shkojmë tani nga Lapraka tek Kodër-Kamza, nga Kodër Kamza në Zall-Herr, pra të sigurohemi që në çdo terren të Tiranës ka një cilësi, por kjo realizohet nëse mirëmbahet. E kemi mbajtur llafin deri tani , që çdo muaj kemi bërë nga një terren sportiv e një kënd lodrash, që dua të vijojë me këtë frymë”, vijoi ai.
Duke paralelizuar lojërat sportive me politikën, Veliaj tha se pavarësisht bindjeve të ndryshme, në fund nuk ka armiqësi me njëri-tjetrin.
“Janë ca mësime që edhe ne politikanët duhet t’i mësojmë, sidomos kur vjen periudha e zgjedhjeve. Ca do fitojnë, ca do humbasin por jeta vazhdon dhe në fund të fundit s’jemi armiq me njeri-tjetrin, jemi thjesht me bindje të ndryshme”, tha Veliaj.
Lapraka është një nga lagjet që falë investimeve të Bashkisë ka gjithë fasilitetet e nevojshme. Ka fushë basketbolli, fushë profesioniste volejbolli, ka fushën e madhe të futbollit që ishte parashikuar për pallate nga Lulzim Basha, por u shpronësua dhe rehabilitua nga Bashkia Tiranë, ka gjithashtu edhe kënd lodrash dhe kinemanë “Maks Velo”.
5 vitet e fundit nëpër Tiranë janë ndërtuar 75 terrene të reja sportive e kënde lojrash, për të nxitur fëmijët dhe të rinjtë drejt aktivitetit fizik, për argëtim, socializim, por edhe një jetë të shëndetshme.
Top Channel