Behar Sofia, u ekzekutua një ditë më parë, nga një distancë shumë e afërt, buzë trotuarit të lumit të Lanës.
Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit. Një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, sipas burimeve.
Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid 19.
Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon nga shumë pranë; një plumb e kap në trup dhe një në kokë.
Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ai ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.
Burimet shtojnë se ka një sinjalizim dhe lokalizim për vendndodhjen e autorit, por , megjithatë pritet një ndërhyrje nga ana e policisë. Behar Sofia, rezulton të jetë edhe një përkrahës i njërës prej partive politike në vend, dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë.
Sofia, sipas të dhënave të policisë, rezulton të jetë arrestuar në vitin 1998, së bashku me Abdulselam Trugut, për trafik kombëtar heroine. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në kryegjyshatën botërore bektashiane në vendin tonë.
Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.
Top Channel