Pas frenimit për shkak të pandemisë, kryesisht në muajt e karantinës ndërtimet e reja i janë rikthyer rritjes në tremujorin e katërt të 2020-ës, ndikuar së tepërmi edhe nga procesi i rindërtimit në disa bashki të vendit, që u prekën nga tërmeti.
Sipas INSTAT në të gjithë vendin bashkitë kanë miratuar 306 leje për periudhën tetor-dhjetor, rreth 104 më shumë se e njëjta periudhë e 2019-ës.
Sa i takon sipërfaqes së miratuar për këto lejet, tremujorin e fundit të vitit të kaluar arriti në 554.3 mijë metër katror, nga 241.7 mijë që ishte në vitin paraardhës. Pjesa dërrmuese e lejeve të dhëna kanë shkuar për ndërtesa banimi, kryesisht për banesa një, dy apo më shumë kate. Ndërsa më pak për ndërtesa jo rezidente si hotele, ndërtesa tregtare apo për zyra.
Kryeqyteti kryeson edhe listën me më shumë leje të dhëna për ndërtime të reja në tremujorin e fundit me 98 të tilla, ndjekur nga Durrësi me 39 leje që janë edhe dy Ndër bashkitë ku po ndërtohen banesa të reja për të prekurit nga tërmeti i nëntorit të 2019-ës.
Megjithatë, në total përgjatë 2020 lejet për ndërtesa të reja kanë shënuar rënie, pasi sipas Instat u miratuan në total 961 të tilla, rreth 133 më pak se viti 2019.
Rreth 76,6 miliardë lekë ose 620 milionë euro ishte vlera e përafërt e lejeve të dhëna një vit më parë, nga 80.8 që ishte në 2019, duke shënuar kështu një rënie prej 5.2%.
Ndërtimi është edhe një nga sektorët që i ka rezistuar krizës së pandemisë, pasi nuk ndali punën për asnjë moment as gjatë 3-muajve kur ekonomia ishte tërësisht në karantinë.
Top Channel