Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 14 mars pritet ta mbajë Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së sotme të kryesisë, ku u tha se kjo është data më e përafërt më zgjedhjen e strukturave të reja.

Derisa u tha se ende në formën zyrtare nuk është deponuar asnjë kandidaturë për kryetar të LDK-së, sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi para gazetarëve tha se kanë diskutuar vetëm për aspektet teknike të organizimit të Kuvendit Zgjedhor.

“Është diskutuar si datë orientuese duke pasur parasysh edhe zhvillimet në vend, është data 14 mars ku parashihet të mbahet procesi zgjedhor i Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit ose kryetares së re të LDK-së. Gjithashtu është diskutuar edhe për trupat të tjerë që e përcjellin mbarëvajtjen e këtij procesi, kryesia e punës, komisioni verifikues. Prandaj ne si kryesi kemi filluar përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit që synojmë ta mbajmë”, tha ai.

Lidhur me kandidaturat për të parin e partisë, Abrashi tha se askujt nuk i ndalohet të ketë ambicie për kryetar të LDK-së.

“Kandidaturat do të shpalosen, disa janë bërë publike, por po besoj edhe ditën kur mbahet Kuvendi zgjedhor do të shpalosen edhe kandidaturat të tjera”, tha ai.

Sa i përket asaj se a qëndron kryesia si e dorëheqje, apo fuqiplotë, Arbashi tha se ata do të vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre deri në Kuvendin zgjedhor të partisë.

“Kryetari Mustada e ka ofruar dorëheqjen, normal që është pranuar, ai do të deponojë edhe me shkrim edhe një fjalë rasti. Kryesia ne e kemi thënë që jemi në dorëheqje, por Këshilli i Përgjithshëm është ai që e ka caktuar këtë kryesi. Prandaj deri në kuvendin e ardhshëm mbesin në këto funksione dhe ushtrojmë detyrat në organizimin e Kuvendit. Porsa të fillojë punën kryesia e Kuvendit merr përsipër detyrat deri në zgjedhjen e kryetarit”, tha ai.

Krahas këtyre, Abrashi tha se nëse ka vullnet do të thërrasin Këshillin e Përgjithshëm para se të shkohet në Kuvendin zgjedhor të partisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA