‘Enveristi i fundit’ e cilësoi kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Sali Berishën, i cili sipas tij duhet të largohet njëherë e mirë nga politika shqiptare, dhe jo të mendojë për një mandat të tretë.
“Rrëzuan bustin prej bronxi të Enverit, kanë ngritur bustin e Saliut. 77 vjeç, kërkon të vijë për herë të tretë! Pasi shkatërroi Shqipërinë dy here, tani kërkon të kthehet për herë të tretë Saliu. I ngritën bustin për së gjalli Saliut dhe nuk heqin dot ‘Enveristin e fundit’ nga partia, këta që thonë janë antikomunistë”, u shpreh Veliaj, në një takim me banorët e zonës së Astirit.
Ndërsa, për Presidentin Meta, Veliaj tha se ai ka dalë nga misioni kushtetues dhe se është kthyer në kryepërçarës.
“25 prilli është edhe një kujtesë, se kur Presidenti i Republikës lë punën e vet dhe punon si ‘brigadier komunale’ dhe merret me Lanën e me Unazën, do të thotë që ka devijuar nga misioni kushtetues, ka devijuar nga plani për të qenë bashkues dhe është kthyer në përçarës, në kryepërçarës. Kur kemi banka të nivelit të dytë dhe fonde mikrokredish që dalin nga misioni i tyre financiar dhe hidhen me presidentin në fushatë në Astir, do të thotë që kanë devijuar nga misioni i tyre”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku thotë se baza e PD-së e ka kuptuar se njerëz si Klevis Balliu, që pengojnë punët në kryeqytet, duhet të largohen.
“Këtë mavrinë këtu, çunin e Fahriut që protestonte këtu, e përzunë të parin. Pra, vetë partia e tyre, baza, jo udhëheqja, por baza, është mjaftueshëm e emancipuar për t’i thënë jo dikujt që bllokoi Astirin. Pra, vetë ata nuk i duan përfaqësuesit e tyre”, vijoi Veliaj.
Në fund, kryebashkiaku tha se është për të qeshur që teksa Partia Socialiste ka një listë me 36 deputetë për Tiranën, opozita mezi ka gjetur 6. Ai theksoi se fryma bashkuese dhe jo përçarëse do të triumfojë në këto zgjedhje.
Top Channel