Somalia akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për shkelje të ligjit ndërkombëtar duke nënçmuar qeverinë e Somalisë si “të përkohshme” dhe duke kërkuar të mbjellë dhunë.
EBA-ja në deklaratën e së shtunës rreth përplasjeve të fundit në vend, gjithashtu shkeli miqësinë dypalëshe, tha Osman Dubbe, ministri i Informacionit i Somalisë, në një konferencë shtypi në kryeqytetin Mogadishu.
“Deklarata e EBA-së është në kundërshtim me diplomacinë ndërkombëtare, marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve dhe kulturën arabe”, dekalroi Dubbe.
“EBA-ja dëshiron që Somalia të jetë si Jemeni dhe Libia dhe dëshiron të mbjellë zhvendosje të popullatës, dhunë dhe prapambetje, dhe kjo është diçka për të cilën somalezët janë të kujdesshëm”, shtoi ai.
Duke komentuar përplasjet e fundit midis forcave të qeverisë somaleze dhe grupeve të opozitës, deklarata e EBA-së akuzon Somalinë për përdorimin e forcës së tepruar kundër civilëve dhe e quajti qeverinë e saj “qeveri të përkohshme”.
Veçmas, Somalia akuzoi kandidatët presidencialë të opozitës të udhëhequr nga ish-presidenti Sharif Sheikh Ahmed se ndjekin hapa të “paligjshëm” nën maskën e protestave paqësore.
“Kandidatët presidencialë zgjodhën të tejkalojnë procesin duke ndjekur rrugën e paligjshmërisë dhe kryengritjes së armatosur nën maskën e demonstratave paqësore të garantuara sipas kushtetutës sonë”, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Somalisë, duke paralajmëruar gjithashtu aktorë të huaj të paemëruar të mos bëjnë deklarata “mashtruese” të cilat ndonjëherë “duken se mbështesin kryengritjet”.
Top Channel