Rrjeti social Facebook ka mbyllur faqen zyrtare të informimit të ushtrisë së Mianmarit, e cila në fillim të këtij muaji mori pushtetin nëpërmjet një grushti shteti.
Facebook tha në një deklaratë se faqja me emrin “Ekipi i Informimit të Lajmeve të Vërteta i Tatmadaw-it” që i përkiste ushtrisë së Mianmarit është mbyllur me arsyetimin se “duke nxitur dhunë, faqja ka shkelur standardet e komunitetit gjatë gjithë kohës”.
Pas njoftimit të zyrtarëve të faqes, llogaria nuk mund të aksesohej, ndërsa zyrtarët e juntës nuk kanë dhënë ende ndonjë deklaratë.
Me vendimin e marrë më 12 shkurt, Facebook mori masa për të parandaluar përhapjen e postimeve nga llogaritë e ushtrisë së Mianmarit.
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.
Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit, premtoi rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.
Disa vende, si SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja, kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve ushtarakë që organizuan puçin.
Kundër grushtit të shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria ka shpallur shtetrrethim në disa qytete.
Suu Kyi, paraburgimi i së cilës u vazhdua dy herë, do të mbahet prapa grilave të paktën deri në fillimin e një seance gjyqësore që është caktuar për më 1 mars.
Top Channel