Pas sulmit të hakerave rusë/ Masa të reja për sigurinë kibernetike në SHBA

20/02/2021 16:51

Të tronditur nga një sulm gjithëpërfshirës që mund të ketë zbuluar për Rusinë sekretet e qeverisë dhe korporatave, zyrtarët amerikanë po përpiqen të forcojnë mbrojtjen kibernetike të vendit dhe po pranojnë se një agjenci e krijuar dy vjet më parë për të mbrojtur rrjetet dhe infrastrukturën e Amerikës nuk ka fondet, mjetet dhe autoritetin për t’iu kundërvënë kërcënimeve të tilla të sofistikuara.

Ndërhyrja, gjatë së cilës u vodh programi i përdorur gjerësisht nga kompania Solarwinds Inc. me bazë në Teksas, ka nxjerrë në pah ekspozimin e thellë ndaj rreziqeve të rrjeteve kompjuterike të strukturave të qeverisjes civile dhe kufizimet e përpjekjeve për t’i pikasur kërcënimet. Ka mundësi që të fillojë gjithashtu një valë shpenzimesh për modernizimin e teknologjisë dhe sigurinë kibernetike.

“Ka nxjerrë në pah investimet që duhet të bëjmë në sigurinë kibernetike për të pasur aftësinë për t’i bllokuar këto sulme në të ardhmen”, tha Anne Neuberger, zëvendës këshilltarja e sapoemëruar e sigurisë kombëtare për teknologjinë kibernetike dhe emergjencat, gjatë një seance informimi të Shtëpisë së Bardhë.

Reagimi pasqyron seriozitetin e një sulmi që u zbulua vetëm në muajin dhjetor. Hakerat, ende të paidentifikuar, por për të cilët zyrtarët thonë se gjasat janë që të jenë rusë, kishin qasje të pakufizuar në të dhënat dhe postën elektronike të të paktën nëntë agjencive qeveritare të Shteteve të Bashkuara dhe rreth 100 kompanive private, me shkallën e plotë të kompromentimit ende të panjohur. Dhe ndërsa ky incident duket se kishte për qëllim vjedhjen e informacionit, ai rriti frikën se hakerat e ardhshëm mund të dëmtojnë infrastrukturën kritike, si rrjetet elektrike ose ujësjellësat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA