13 milionë njerëz pa ujë të pijshëm/ Biden: Gjendje katastrofike në Teksas

20/02/2021 15:28

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të shpallë gjendjen e katastrofës së madhe, për Teksasin, duke hapur rrugën që më shumë fonde federale të shpenzohen për të ndihmuar këtë shtet.

Energjia elektrike po rikthehet në shtet dhe temperaturat pritet të rriten, por rreth 13 milionë njerëz kanë ende vështirësi për sa i takon aksesin tek uji i pijshëm. Biden tha se ai do të vizitojë Teksasin në kohën kur prania e tij atje të mos jetë një pengesë për përpjekjet e ndihmës.

Rreth 60 viktima i janë atribuar motit të ftohtë në të gjithë SHBA-në.
Edhe disa shtete të tjera jugore janë goditur nga stuhitë e borës dhe akullit këtë javë dhe kanë raportuar vështirësi në shërbimin e shpërndarjes së ujit të pijshëm. Moti i ftohtë ka bërë që uji të mungojë edhe në qytetin e Xheksonit në Misisipi.

Në të gjithë rajonin jugor të Shteteve të Bashkuara, një rajon i pamësuar me temperatura të tilla të acarta, njerëzve u është kërkuar që të marrin borën dhe ta zjejnë për të bërë ujë. Edhe rrjeti energjitik jugperëndimor është stërmunduar si pasojë e kërkesës së shtuar për nxehje, në një kohë kur temperaturat kanë rënë në nivelet me të ulëta në 30 vite.

Deri të premten në mbrëmje, rreth 180 mijë shtëpi dhe biznese në Teksas nuk kishin ende energji elektrike. Në mesin e temperaturave të acarta, më herët këtë javë, deri në 3.3 milionë njerëz ishin pa energji elektrike. Ndërkohë rreth 13 milionë banorë, thuajse gjysma e popullatës së shtetit, janë përballur me mungesë të ujit të pijshëm ndërsa qindra sisteme të shpërndarjes së ujit janë dëmtuar nga acari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA