Vaksina për vendet e varfra/ Macron i bën thirrje Europës dhe SHBA

19/02/2021 12:34

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Europës dhe SHBA-së që urgjentisht t’i dërgojnë 4 deri në 5 për qind të vaksinave të tyre kundër koronavirusit në vendet në zhvillim.

Macron tha për gazetën Financial Times se dështimi për të ndarë vaksina në mënyrë të drejtë, do të përforcojë pabarazinë globale.

“Nuk po flasim për miliarda doza menjëherë, ose për miliarda euro. Bëhet fjalë për shpërndarjen e shpejtë të 4 deri në 5% të dozave që kemi”, tha Macron, duke shtuar se sasia e tillë nuk do t’i ndryshonte fushatat e vaksinimit në shtetet e zhvilluara.

Macron tha se në mungesë të një skeme të tillë, Kina dhe Rusia do të plotësojnë boshllëkun dhe “do t’i hapin rrugë luftës së ndikimit”.Shumica e vaksinave, deri më tani, janë shpërndarë në vendet me të ardhura të larta.

Të mërkurën, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi, siç tha, shpërndarjen “tepër të pabarabartë dhe të padrejtë” globale të vaksinave kundër koronavirusit.Ai tha se vetëm dhjetë vende kanë administruar 75% të të gjitha vaksinave në të gjithë botën, ndërsa 130 vende nuk kanë marrë ende asnjë dozë të vetme. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur së paku 110 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 2.4 milionë kanë vdekur, ndërsa mbi 62 milionë janë shëruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA