Shpërthen sërish mali Merapi në Indonezi, lumenj llave nga vullkani më aktiv në botë

19/02/2021 21:33

Mali Merapi në Indonezi, një nga vullkanet më aktivë në botë, shpërtheu të premten duke nxjerrë nga krateri llavë të kuqe përvëluese.

Vullkani, afër kryeqytetit kulturor të Indonezisë, Yogyakarta, në ishullin e Javës, ka nxjerrë llavë edhe më parë në këto dy ditë të fundit, duke shkaktuar qindra tërmete të vogla vullkanike, sipas një raporti të agjencisë gjeologjike të Indonezisë.

Sidoqoftë, paralajmërimi zyrtar për statusin e vullkanit nuk u ndryshua për të kaluar në nivel më të lartë nga ai në të cilin ndodhet që prej nëntorit të vitit të kaluar. Banorët e zonave të afërta u këshilluan të evitonin zonën në një rreze prej pesë kilometrash rreth kraterit dhe u paralajmëruan për llavën si edhe për materialet vullkanike në ajër. Muajin e kaluar, vullkani lëshoi re të stërmëdha tymi dhe hiri duke shkaktuar jo pak probleme.

Shpërthimi i fundit i malit Merapi, në 2010, i mori jetën më shumë se 300 personave dhe coi në evakuimin e rreth 280 mijë banorëve nga zonat përreth. Ai ishte shpërthimi më i fuqishëm që nga viti 1930, kur rreth 1300 vetë humbën jetën. Arqipelagu në Azinë juglindore, ka rreth 130 vullkane aktivë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA