Merkel kërkon politikë të përbashkët transatlantike për Rusinë dhe Kinën

19/02/2021 21:42

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për një strategji të përbashkët transatlantike ndaj fuqive botërore, Rusisë dhe Kinës, duke e përshkruar këtë si një detyrë të madhe në periudhën përpara.

Gjatë fjalimit të saj në Konferencën virtuale të Sigurisë në Mynih së bashku me presidentin amerikan Joe Biden dhe presidentin Francez Emmanuel Macron, Merkel kritikoi ashpër Rusinë për shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe akuzoi Moskën zyrtare për përdorimin e mjeteve të luftës “hibride” kundër vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE).

“Është shumë e rëndësishme për ne të zhvillojmë një agjendë të përbashkët transatlantike drejt Rusisë. Nga njëra anë, sigurisht që duhet të ofrojmë bashkëpunim. Por nga ana tjetër ne duhet të jemi të qartë për ndryshimet që kemi”, tha Merkel.

Kancelarja gjermane shtoi se ajo ndan pikëpamjen e Biden-it se Rusia ka punuar për destabilizimin e BE-së.

Komentet e fuqishme të Merkelit vijnë në kohën e tensioneve në rritje midis BE-së dhe Rusisë, pas burgosjes së figurës opozitare ruse, Alexey Navalny.

Kancelarja gjermane e përshkroi Kinën si një sfidë tjetër të rëndësishme për Evropën dhe SHBA-në dhe argumentoi se partnerët transatlantikë duhet gjithashtu të zhvillojnë një strategji të përbashkët ndaj këtij vendi.

“Nga njëra anë, Kina është një konkurrente sistemore. Nga ana tjetër, ne kemi nevojë për Kinën për të zgjidhur problemet globale”, tha Merkel.

“Në vitet e fundit, Kina ka fituar më shumë pushtet në skenën ndërkombëtare dhe ne si një aleancë transatlantike dhe si vende demokratike duhet ta trajtojmë këtë”, shtoi ajo.

Merkel tha se është e vetëdijshme se evropianët dhe amerikanët mund të kenë mendime të ndryshme për disa çështje në lidhje me Rusinë dhe Kinën, por këmbënguli që partnerët transatlantikë duhet të përcaktojnë së bashku sfidat strategjike.

“Interesat tona nuk do të bashkohen gjithmonë, nuk kam iluzione. Kur ka dallime, ne duhet të flasim hapur për to. Por ne kemi një bazë të gjerë, të përbashkët, të mirë, për sa i përket vlerave tona të përbashkëta, besimit tonë në demokraci”, tha ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA