Irena është një eksploruese, e cila nuk heq dorë nga natyra dhe çdo fundjavë e gjen mundësinë të bëj diçka ndryshe.
Në një intervistë për “Wake Up”, u shpreh: “Këto katër vitet e fundit, është shtuar dalja në natyrë në formën e hiking dhe kanutazhit dhe janë bërë bashkë edhe me biçikletën. Unë çdo fundjavë do të bëj diçka.”
E pyetur se si e ka shijuar eksplorimin e natyrën, me grupe apo lënien e takimit me turistë rastësorë, Irena tha se natyra dëgjohet më mirë kur je vetëm ose me grup të vogël.
“Unë i kam provuar të gjitha opsionet, edhe me grupe të mëdha, edhe me të vogla, edhe dy veta, edhe vetëm fare. Ne jemi energji, secili ka energjinë e tij dhe ndryshon çdo gjë kur je vetëm. Ne ndryshe bëjmë muhabet me dikë kur je tek për tek, ndryshe me 2 veta, ndryshe me 15 veta. Personalisht preferoj vetëm ose grupe të vogla. Dëgjohet shumë më mirë natyra”, u shpreh ajo.
Sa i përket vendeve që i kanë lënë mbresa, nuk arrin të bëjë një dallim, por pëlqen rastet kur duhet të ngjisë ndonjë mal.
“Janë të gjitha vendet shumë të bukura, nuk arrij t’i ndaj. Në përgjithësi më pëlqejnë kacavjerrjet. Mesa duket majmuni i hershëm jeton mirë dhe më tërheq. Shqipëria ka pafund vende atraktive, për detin ke jugun, për male ke alpet.
Dalja në natyrë të ushqen, të karikon me energji dhe të ndihmon në jetën e përditshme. Unë e kam shumë të nevojshme daljen në natyrë”, tha Irena.
Top Channel