SHBA-ja do të paguajë më shumë se 200 milionë dollarë detyrime ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha dje sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Fondet, të cilat përfshijnë detyrime financiare aktuale, do të paguhen deri në fund të muajit, i tha Blinken Këshillit të Sigurimit të OKB-së derisa diskutoi për pandeminë e COVID-19.
“Ky është një hap kyç përpara në përmbushjen e detyrimeve tona financiare si anëtar i OBSH-së”, tha ai. “Kjo pasqyron angazhimin tonë të ripërtërirë për të siguruar që OBSH-ja të ketë mbështetjen e nevojshme për të udhëhequr luftën globale ndaj pandemisë, edhe kur ne punojmë për ta reformuar atë për të ardhmen”, tha Blinken.
Për më tepër, administrata e Biden-it po planifikon të sigurojë “mbështetje të konsiderueshme financiare” për programin e vaksinave COVAX të OKB-së, shtoi Blinken.
Trump në vitin 2020 vendosi në mënyrë të njëanshme ta tërheqë SHBA-në nga OBSH-ja midis mosmarrëveshjeve në lidhje me trajtimin e saj të pandemisë së koronavirusit.
Blinken pranoi se organizata ka nevojë për reforma të rëndësishme, por tha se mbështetja e SHBA-së është jetike pasi ajo luan një rol kryesor në luftimin e pandemisë. Ai theksoi se raporti i ardhshëm i ekspertëve të OBSH-së mbi origjinën e virusit “duhet të jetë i pavarur, me gjetje të bazuara në shkencë dhe fakte dhe pa ndërhyrje”, në një referencë të mundshme për Kinën.
“Për të kuptuar më mirë këtë pandemi dhe për t’u përgatitur për një tjetër, të gjitha vendet duhet të vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e ditëve më të hershme të çdo shpërthimi”, tha ai.
“Duke shkuar përpara, të gjitha vendet duhet të marrin pjesë në një proces transparent dhe të fuqishëm për parandalimin dhe reagimin ndaj emergjencave shëndetësore, në mënyrë që bota të mësojë sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Blinken./AA/
Top Channel