Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë shqiptoi gjoba për Partinë Demokratike të Kosovës dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës për, siç u tha, thyerje të heshtjes zgjedhore gjatë votimit në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

PZAP tha se ka marrë dhjetë ankesa në lidhje me thyerjen e heshtjes zgjedhore, porse vetëm dy janë pranuar si të bazuara.

“Natyra e ankesave të paraqitura ka qenë: thyerje e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit, respektivisht shpërndarje e SMS-ve te qytetarët, me thirrje për të votuar subjektin e caktuar politik”, thuhet në njoftim.

Edhe PDK-ja, edhe LDK-ja u gjobitën me nga 600 euro.

PZAP tha se të enjten ka shqyrtuar dhe vendosur për të gjitha ankesat dhe apelet e paraqitura nga individë, subjekte politike, kandidatë për deputetë, organizata, anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, anëtarë të Këshillave të vendvotimeve, qytetarë, vëzhgues, etj. dhe se gjoba e shqiptuar, për shkak të mosrespektimit të Kodit të Mirësjelljes, kap vlerën e mbi 216 mijë eurove.

Fituese e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë është shpallur Lëvizja Vetëvendosje.

Në vend të dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës dhe në të tretin Lidhja Demokratike e Kosovës./REl/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA