Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, diskutuan përmes telefonit për “kërcënimet nga Irani”, pandeminë e COVID-19 si dhe çështje tjera, njoftoi zyra e kreut te ekzekutivit izraelit.
Netanyahu është një nga udhëheqësit e fundit që ka komunikuar ne telefon me Biden, që nga inaugurimi i tij në 20 janar. Kryeministri izraelit ka pasur lidhje të ngushta me administratën e mëparshme amerikane të ish-presidentit, Donald Trump. Netanyahu po përballet me një sfidë të vështirë për rizgjedhjen e tij, pas zgjedhjeve të parlamentare të planifikuara të mbahen më 23 mars. Nga zyra e tij u tha se biseda një orëshe ishte “e ngrohtë dhe miqësore”.
“Ata theksuan lidhjet e tyre të gjata personale dhe u angazhuan për të punuar së bashku në forcimin e aleancës mes Izraelit dhe SHBA-së”, nënvizohet ne deklarate. Republika islamike dhe ambiciet e saj nukleare ishin shqetësimi kryesor i dy lidereve. Ata biseduan mbi “kërcënimin iranian” të zhvillimit të armëve bërthamore, si dhe mundësinë që Izraeli të arrijë më shumë marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve me kombet arabe.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Biden e pati kritikuar vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore. Ndwrkohw Netanyahu e kishte mbështetur fuqishëm veprimin e Trumpit, i cili përfshinte rivendosjen e sanksioneve shkatërruese ndaj Iranit, rivali kryesor i Izraelit në rajon.
Top Channel