Khamenei: Irani do veprime, jo fjalë për marrëveshjen bërthamore

17/02/2021 14:51

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se vendi i tij dëshiron të shohë “veprime dhe jo fjalë” nga nënshkruesit e marrëveshjes bërthamore, të vitit 2015.

Komentet vijnë pasi administrata e re amerikane tha se mund t’i kthehet paktit që u braktis nga ish-presidenti Donald Trump, në vitin 2018.

“Kemi dëgjuar shumë fjalë dhe premtime të këndshme, të cilat në praktikë janë thyer dhe janë ndërmarrë veprime të kundërta. Fjalët dhe premtimet nuk janë të mira. Këtë herë, (ne duam) vetëm veprime nga pala tjetër dhe ne gjithashtu do të veprojmë”, tha Khamenei në një fjalim televiziv të mërkurën.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Uashingtoni do t’i rikthehet marrëveshjes, nëse Teherani rinis ta respektojë atë.

Teherani thotë se Uashingtoni duhet të veprojë i pari.

Në bazë të marrëveshjes me SHBA-në, Kinën, Rusinë, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, Irani është pajtuar që të kufizojë aktivitetin e tij bërthmaor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Irani vazhdimisht ka mohuar se synon krijimin e armës bërthamore, duke thënë se aktiviteti i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile.

Prejse Trump është tërhequr nga marrëveshja dhe ka rikthyer sanksionet, Teherani ka nisur shkeljen graduale të marrëveshjes, përfshirë pasurimin e uraniumit në nivele të larta.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të bërë karburant për reaktorë, por edhe për bomba bërthamore. Uraniumi i shkallës së armëve është i pastër 90%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA