Izrael – Një fëmijë ka lindur i vdekur dhe dyshohet se ishte infektuar nga nëna me Covid-19 përmes placentës, thanë mjekët izraelitë.
Nëna 29-vjeçare ishte 25 javëshe shtatzënë kur u shtrua në spitalin Assuta fundjavën e kaluar sepse kishte dy ditë me temperaturë dhe po përjetonte simptomat e koronavirusit.
Ajo rezultoi pozitive ndaj Covid dhe testet pas lindjes zbuluan se edhe fëmija kishte virus, raporton Times of Israel.
Ky është i pari rast i këtij lloji në Izrael, një ngjarje e rrallë globale, tha Ministria e Shëndetësisë së vendit.
“Fetusi ishte infektuar përmes placentës dhe me shumë mundësi, ne mund të themi se ndërroi jetë nga koronavirusi”, tha Tal Borsh, kreu i departamentit të sëmundjeve infektive në spitalin Assuta për Ynet News.
Edhe mjeku Yossi Tobin, shefi i pavijonit të maternitetit në spital pranoi se fetusi ishte infektuar dhe kjo mund të ketë shkaktuar vdekjen e fëmijës.
“Ishte një infeksion i fetusit, i cili mund të shkaktojë infeksion gjatë shtatzënisë dhe vdekje. Kjo është një dukuri e rrallë sepse një fëmijë zakonisht është i infektuar me koronavirus pas lindjes, si rezultat i kontaktit me nënën”, tha Tobin.
Top Channel