Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka bërë thirrje për lirim “të menjëhershëm” të politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, kërkesë që është refuzuar shpejt nga Qeveria ruse.
“Më 16 shkurt, një dhomë prej shtatë gjyqtarëve të Gjykatës ka vendosur, në interes të palëve dhe sipas procedurave, që t’i kërkojë Qeverisë së Rusisë, sipas Rregullit 39 të Rregullave të Gjykatës, që të lirojë aplikuesin (Navalny)”, është cituar të ketë thënë gjykata me bazë në Stasburg, sipas faqes së Navalnyt në internet.
“Kjo masë duhet të zbatohet menjëherë”, është thënë aty.
Ministri rus i Drejtësisë Konstantin Chuychenko, u ka thënë gazetarëve se kërkesa e gjykatës është “e paarsyeshme dhe e paligjshme”, duke pretenduar se nuk ka “bazë ligjore” për lirimin e Navalnyt.
Kritiku i Kremlinit, 44-vjeçar është arrestuar më 17 janar, pasi është kthyer nga Gjermania në Rusi, ku është trajtuar nga helmimi me agjent nervor.
Navalny beson se helmimin e ka urdhëruar presidenti rus Vladimir Putin, mirëpo Kremlini mohon një gjë të tillë.
Navalny e ka konsideruar seancën fillestare pas arrestimit të tij si “tallje me drejtësinë”, përderisa ndalimi i tij është dënuar nga pjesa më e madhe e Perëndimit.
Në gjithë Rusinë po ashtu është protestuar në mbështetje të tij.
Policia ka shtypur dhunshëm protestat e janarit, duke arrestuar dhe ndaluar mijëra protestues që kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre nëpër rrugët e Rusisë.
Gjykata në Moskë ka vendosur më 2 shkurt që Navalny është fajtor për shkelje të një dënimi me kusht që ka të bëjë me përvetësim.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka konsideruar këtë dënim të paligjshëm dhe arbitrar.
Mirëpo gjykata në Rusi beson se ai ka shkelur rregullat e lirimit me kusht, ndonëse në atë periudhë ai ka qenë duke u shëruar në Gjermani, andaj është dënuar me dy vjet dhe tetë muaj burgim.
Top Channel