Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i akuzoi Shtetet e Bashkuara se mbështesin militantët kurdë për të cilët Ankaraja thotë se ekzekutuan 13 turq të rrëmbyer në veri të Irakut.
Deklaratën amerikane që dënonte këtë akt, Erdogani e cilësoi thjesht një “tallje”. Turqia deklaroi të dielën se militant të partisë së punëtorëve të Kurdistanit, të shpallur prej saj të paligjshme, kishin ekzekutuar pengjet, mes të cilëve edhe personel ushtarak e policor të dërguar atje në mesin e një operacioni ushtarak kundër këtij grupi. Uashingtoni deklaroi se qëndron në krah të Ankarasë dhe i dënoi vrasjet, nëse sic tha, konfirmohet përgjegjësia e PKK-së. Deklarata e tij nuk e bindi Erdoganin.
“Tani, kemi një deklaratë të bërë nga Shtetet e Bashkuara. Është një tallje. Sikur nuk duhet t`I dilnit kundër PKK-së dhe YPG-ve apo jo? Është e qartë që ju i mbështesni dhe qëndroni pas tyre”.
Që kur Joe Biden u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, Turqia e ka përsëritur vazhdimisht se kërkon t`i përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-në, por mbështetja amerikanë për njësitë kurde YPG i tërbon turqit dhe mbetet një pikë kryesore përplasjesh mes dy aleatëve.
Top Channel