Ish-deputeti i LSI Endrit Braimllari është gjobitur me 5 mln lekë pasi ka organizuar një aktivitet politik në kundërshtim me masat anti-COVID.
Policia njofton se njëkohësisht është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti.
“Pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë. Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i policisë:
Organizoi aktivitet politik në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, ndëshkohet me masë administrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik.Njëkohësisht ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë.
Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.
Pas gjobës së policisë ka ardhur edhe reagimi nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari:
“Kryeministri Edi Rama është i tmerruar nga rritja e pandalshme e LSI në Qarkun e Korçës. Gjoba tregon tmerrin që Edi Rama ka ndaj LSI. Edi Rama, Niko Peleshi nuk mund të intimidojnë simpatizantët e LSI me ushtarin e tyre në drejtorinë e qarkut të Korçës, Ferdinand Mara. Ferdinand Mara është ushtar i Edi Ramës, Niko Peleshit dhe Rragamit të bëjë kujdes të respektojë ligjin dhe të merret me trafikantët dhe trafikun e drogës dhe jo të gjobisë qytetarët e ndershëm. Më 25 prill të rinjtë dhe të rejat e Korçës do të çmontojnë këtë treshe që ka marrë peng Korçën”.
Kujtojmë se LSI organizoi këtë të mërkurë një takim për të folur për programin e arsimit, por pas takimit mes Kryemadhit dhe policisë së Elbasanit ndodhi një përplasje verbale.
Top Channel