Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka kundërshtuar lehtësimin e masave anticovd në vend, duke e quajtur skandaloze këtë vendim nga qeveria.
“Skandaloze, e papranueshme lehtësimi i masave nga Qeveria në detyrë, aq më keq si duket për apetite politike asnjë parti politike nuk reagon. Andaj FSSHK edhe njëherë kërkon përgjegjësi kolektive, popullore që ta ruani veten, është më se evidente që të gjitha partitë politike nuk e kanë prioritet shëndetin publik të popullit por vetëm votën e tyre. Apelojmë që IKSHPK dhe të gjithë ekspertët e shëndetësisë të distancohen nga veprimet politike vetëvrasëse dhe të mos jenë pjesë e vendimeve skandaloze për popullin e Republikës së Kosovës. FSSHK apelon tek të gjitha mediat dhe i lut që të mos jenë pjesë e kësaj kampanje antikombëtare, ne nuk mund të jemi sponsor tuaj, por ne mund të mbrojmë shëndetin tuaj. Ju lutemi dhe përgjërohemi thirrni mendjes në veprimet tuaja. Jeta është më e shtrenjtë se një votë”, thuhet në njoftimin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës.
Kundër ka dalë edhe mikrobiologu Lul Raka i cili tha se është një “lehtësim politik i masave” duke mundësuar përhapjen e infeksionit në vend.
“Të nderuar/Sot, në media e pashë një shkresë zyrtare të qeverisë, në të cilën kërkohet lirimi i masave kufizuese “ në bazë të rekomandimeve të IKSHPK dhe Bordit Këshilldhënës”. E shoh të arsyshme të jap një sqarim se as unë, si kryesues i Bordit dhe asnjë anëtar i Bordit nuk është konsultuar për një propozim të tillë. Në kohën e shkeljes masive të masave parandaluese gjatë fushatës zgjedhore e parazgjedhore nga tërë spektri politik; shtritjes së variantit britanik të virusit, i cili është prezent në Kosovë që nga fundi i dhjetorit , çdo “lehtësim politik i masave” mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë. Prandaj, unë jam kundër lirimit të masave në këtë kohë”, tha ai.
Top Channel