Kreditimi i ekonomisë ka parë një përmirësim të ndjeshëm në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, si për bizneset, ashtu edhe për individët.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, kredia për sipërmarrjen ka shënuar një rritje me 7.2%, ku kontributin më të madh e kanë dhënë huatë për investime, të orientuara kryesisht në monedhë të huaj.
Nga të dhënat konstatohet një rritje e madhe e kredive për korporatat me rreth 6.5 miliardë lekë, teksa huatë për bizneset e vogla dhe të mesme kanë parë një ngadalësim dhe ky portofol u shtua me rreth 8.3 miliardë lekë në tremujorin e fundit të 2020-ës.
Tregtia, hotelet e restorantet mbeten sektorët më të mëdhenj kredimarrës. Pas goditjes që morën në tremujorin e dytë dhe të tretë, shfaqën një rikuperim në tremujorin e fundit të vitit të kaluar me një rritje të portofolit të huave prej 9.7 miliardë lekë.
Krahas tyre, trend pozitiv ka ndjekur edhe kreditimi për industrinë, teksa më pak i financuar nga sistemi bankar është ai i bujqësisë që zë vetëm 2% të totalit të portofolit të kredive.
Megjithatë, pasiguritë në rritje për shkak të krizës kanë bërë që bankat të shtrëngojnë kushtet për kreditë e reja për biznese, duke ulur madhësinë e huave e duke shtuar kërkesat për kolateral.
Norma të ndjeshme rritje me rreth 6% kanë shënuar edhe huatë për individët, ku zgjerimi i tyre është mbështetur veçanërisht nga kreditë për blerje banese si dhe kreditë konsumatore.
Ashtu si te sipërmarrja, edhe kredia për individë është dominuar nga ajo afatgjatë, teksa pjesa më e madhe e saj është disbursuar në Tiranë, qarku që ka edhe përqendrimin më të lartë të popullsisë në vend.
Ndryshe nga bizneset, sistemi bankar perceptoni një rrezik më të ulët për kreditë ndaj individëve, e në kushte të tilla lehtësoi termat për marrjen e huave për konsumatorët.
Sa i takon kredive me probleme, sipas Bankës së Shqipërisë në fund të dhjetorit 2020 zbritën në 8.11% duke shënuar një rënie të lehtë prej 0.09 % kundrejt 2019-ës, çka tregon se me gjithë krizën e shkaktuar nga pandemia, duket se nuk është reflektuar në rritjen e këtij treguesi, kjo edhe për shkak të moratoriumit që ndërmori banka qendrore.
Top Channel