Qeveria ndryshon buxhetin e vitit 2021/ Shton pritshmërinë për të ardhurat por edhe shpenzimet

09/02/2021 15:45

Pa kaluar ende dy muaj, qeveria ka rishikuar me akt normativ buxhetin për vitin 2021, duke rritur si të ardhurat buxhetore, ashtu edhe shpenzimet.

Ndërsa, ka mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor duke e lënë atë në të njëjtin nivel me parashikimin fillestar.

Referuar aktit normativ të botuar në Fletoren Zyrtare, të ardhurat buxhetore janë rritur me rreth 3.4 miliardë lekë, duke arritur në 487.5 miliardë lekë ose rreth 27.4 milionë euro më shumë se planifikimi fillestar i Financave.

Ky dikaster justifikon rritjen e arkëtimeve në buxhet me më shumë të ardhura nga tatimet e doganat.

Po njëlloj janë rritur edhe shpenzimet buxhetore, që sipas aktit normativ prekin nivelin e 596.2 miliardë lekësh, teksa më shumë para janë planifikuar edhe për shpenzimet kapitale. (Tab 2 shpenzimet)

Sa i takon ndërhyrjeve në zëra të tjerë, fondi rezervë është rritur nga 4 në 5 miliardë lekë, 1 miliardë lekë janë shtuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, teksa një shtesë prej 2 miliardë lekësh ka shkuar për fondin social, kryesisht për mbulimin e pensioneve.

Për ekspertin e ekonomisë Majlind Lazimi kjo ndërhyrje e Financave në kahun e të ardhurave nuk është e justifikuar, pasi sipas tij ekonomia do të ndjekë një ecuri të dobët të paktën pjesën e parë të këtij viti. Një plan emergjent shton ai, do të ishte domosdoshmëri në këto moment.

Nuk besoj se ka arsye për të qenë kaq optimistë për të ardhurat. Bizneset kanë raportuar rënie të shitjeve, konsumi në rënie, investimet private thuajse janë pezulluar. Unë e shikoj të paarsyetuar rritjen e të ardhurave dhe nga ana tjetër qeverisë i duhen më shumë para për shpenzime. Kjo është arsyeja e vetme që ka dashur të mbajë deficitin buxhetor në ekuilibër. Nëse ka një akt normativ, duhet të ishte i guximshëm në kahun e shpenzimeve, por jo për vepra publike që mund të presin, por si mbështetje për shëndetësinë dhe shtresat në nevojë. Duhet të kishte një plan emergjente për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe shtresave në nevojë“.

Në aktin normativ, qeveria ka mbajtur të pandryshuar në aktin normative nivelin e defiçitit buxhetor në 108.6 miliardë lekë, i cili do të mbulohet duke marrë borxh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA