Fjalimi i parë shqip në parlamentin e Serbisë së pasluftës, Shaip Kamberi flet para deputetëve serb

09/02/2021 11:59

Shaip Kamberi guxoi të fliste shqip në parlamentin e Serbisë. Në fjalimin e tij, ai akuzoi shtetin serb për diskriminim ndaj shqiptarëve.

Gjykata e Serbisë nuk e ka marrë parasysh kërkesën për ta konsideruar termin “šiptari” që përdoret në Serbi për shtetasin me kombësi shqiptare. “Mirëdita, sot është e një ditë e veçantë. Është ditë e parë pasi që një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues “šiptari”. Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Për gjykatën e lartë nuk vlen më as vendimi i Gjykatës së Apelit në fund të vitit 2018, e cila pati sanksionuar përdorimin e termit “šiptar” si gjuhë urrejtje. Nuk vlen as mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Brankica Jankoviq, që e ka cilësuar përdorimin e termit “šiptar” si nënçmues, fyes dhe shkelje e Ligjit për Ndalimin e Diskriminimit”, nis fjalimin Kamberi.

Deputeti thotë se shqiptarët quhen “albanac” ndërsa me tendencë negative dhe përçmuese, shumë serbe, përfshirë këtu dhe qeveritarët përdorin termin “šiptar”. Ai reagon me tone të ashpra ndaj këtij vendimi të gjykatës. Kamberi bën një paralelizim të situatës me periudhën kur në Gjermaninë naziste gjykoheshin hebrenjtë me cilësime përçmuese.

Siç dihet, ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit dhe ministri i sotëm i brendshëm i Aleksandër Vuçiqit, përdor vazhdimisht terminologjinë fyese “šiptar” në vend të terminologjisë zyrtare dhe ligjore në Serbi: “albanac”. Tashmë me vendim të gjykatës së këtij shteti, prej sot unë qenkam “šiptar” dhe jo Albanac. Pra, një ditë është zgjuar nga gjumi Aleksandër Vulin dhe ka vendosur se kush jamë unë dhe si cilësohet kombësia ime, e këtë e ka legalizuar gjykata e shtetit! Njëjtë, si në Gjermaninë e fundviteve 30, kur ministri Hermann Goering vendoste se kush ishin dhe si cilësoheshin hebrenjtë dhe pastaj gjykatat e Gestaposë e legalizonte”.

Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti thotë ai.  “

Zonja Merkel, z.Macron, z.Borrel, z.Lajcak, znj Vonder Leyen, a është kjo Serbia e juaj pro-evropiane? Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit i cili vrau, dhunoi dhe dëboi shqiptarët duke i quajtur Albanac. Por, ja që nën heshtjen e botës demokratike, Serbia e Aleksandër Vuciqit po kthehet në kohën e Aleksandar Rankoviqit, që njihet si periudha e fundit e përdorimit zyrtar dhe publik të termit “šiptar”. Të respektuar kolegë, Vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd është edhe precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor. Ai krijon standard legjitimues për gjuhë të urrejtjes ndaj minoriteteve jo vetëm në Serbi, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Si do të reagonte shoqëria serbe sikur homologu kosovar i Aleksandër Vulinit do të zgjohej një ditë nga gjumi dhe do të vendoste se prej sot serbët quhen me termin pezhorativ “shkije” dhe këtë ta legalizonte gjykata në Prishtine? A këtë po e do Vulini dhe Vuciqi për serbët e Kosovës? Jo, këtë urrejtje të ndërsjellë nuk do të mund ta nxitni për ta mbajtur pushtetin e juaj duke e luajtur patriotin në Serbi. E ju vazhdoni të fyeni publikisht dhe ligjërisht minoritetet e shtetit tuaj. Kështu fyeni më shumë shtetin tuaj. z.Vulin dhe z.Vucic, ju rikujtojë se shqiptarët janë quajtur edhe Arnaut nga Cubrilloviqi, por nuk janë nënshtruar. Nuk ju nënshtrohemi as juve. Kot e keni! Madje, pas vendimit të djeshëm të gjykatës, unë jam edhe më i bindur se Serbia e juaj e urrejtjes nuk do të fitojë. Ballkani i paqes, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë nuk ka alternativë. Prandaj, rënia e juaj nuk ka alternativë! Në këtë rast pyetja ime për kryeministren Brnabic është se a do të instalohet kjo gjuhë e urrrejtjes si standard në qeverinë tuaj në komunikim me pakicat dhe sidomos me shqiptarët?”, e mbyll fjalimin.

Më herët, figura e Shaip Kamberit ka rënë sy, teksa në parlamentin serb, krah flamurit serb, ai mbante dhe atë shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA